Denoncimi i rëndë nga ish agjenti i SHIK-ut: Politika qëllimisht e bllokon formimin e kësaj gjykate

  • 04 July 2019 - 13:27
Denoncimi i rëndë nga ish agjenti i SHIK-ut: Politika qëllimisht e bllokon formimin e kësaj gjykate

“Për mua janë të freskat premtimet kur i jepnin qeveritë e Kosovës për themelimin e një gjykate të tillë. Madje atë e premtuan disa herë por ky premtim nuk është mbajtur deri më sot edhe pse dihet që lëndët ekonomike janë raste që duhet të trajtohen e zgjidhen më me urgjencë sepse prioritet mbi prioritetet e secilit shtet është zhvillimi ekonomik. E te ne këto raste në vend që të zgjidhen pa vonesë ato edhe po prolongohen”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”

Për shkak të mungesës së një Gjykate të veçantë në sistemin e drejtësisë së Kosovës e cila do të merrej kryesisht me trajtimin e lëndëve të karakterit ekonomik, në sirtarët e departamentit për çështje ekonomike në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë duke pritur në sirtar hiq më pak se 6 mijë lëndëve ekonomike akoma të pa trajtuara.

E lidhur me këtë, ish agjenti i SHIK-ut dhe njohës i fushës së drejtësisë, Naim Miftari tha për “Kosova Sot Online” se krijimi i stoqeve me lëndë të tilla nëpër gjykatat e Kosovës tregon për dështimin e madh institucional në drejtësi. 

Image
Naim Miftari

Sipas Miftart, edhe qeveria e tanishme ka dështuar krejtësisht, pasi pikërisht kjo qeveri pati premtuar themelimin e Gjykatës Ekonomike, por nuk u bë akoma dhe nuk po shihet që ka shenja për të ndodhur.

Më tej, ai thotë se për pasojë të mungesës së kësaj gjykate, neglizhenca institucionale ka ndikuar në rritjen e numrit të lëndëve ekonomike nëpër gjykata e të cilat po mbeten të deponuara tek departamenti për çështje ekonomike tri deri në pesë vjet, e disa edhe më shumë, gjë që po dëshmon se në Kosove nuk ka sundim të ligjit dhe nuk ka siguri për investitorët vendor e as të huaj, por vetëm për mafien që është mbi ligjin.

“Dihet shumë mirë se ishin dhe janë qindra mijëra lëndë penale që presin për tu zgjidhur nga ai mal me dosje gjyqësore të pa zgjidhura, e prej tyre tanimë janë edhe 6000 mijë lëndë ekonomike por fatkeqësisht nga mungesa e gjykatës së veçantë për trajtimin e tyre, ato presin shumë, disa zgjidhen për 3-4 apo 5-6 vite e disa të tjera mbeten aty e nuk zgjidhen kurrë”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Ai rikujton këtë temë si një dështim që duhet ta mbaj mbi supe kryeministri Hardinaj, sepse pikërisht ky është zyrtari i lartë politik që e pati përmendur dhe premtuar themelimin e Gjykatës së veçantë ekonomike dhe nuk bëri gjë ende. 

“Për mua janë të freskta premtimet kur i jepnin qeveritë e Kosovës për themelimin e një gjykate të tillë. Madje atë e premtuan disa herë por ky premtim nuk është mbajtur deri më sot edhe pse dihet që lëndët ekonomike janë raste që duhet të trajtohen e zgjidhen më me urgjencë sepse prioritet mbi prioritetet e secilit shtet është zhvillimi ekonomik. E te ne këto raste në vend që të zgjidhen pa vonesë ato edhe po prolongohen, vetëm enden nëpër sirtarët e zyrat e Gjykatës themelore të Prishtinës kurse palët mbeten në dëmtuara dhe të mashtruara në pritje”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, kjo zvarritje ju konvenon grupeve të caktuara të interesit, prandaj e bëjnë këtë, pavarësisht se dëmtohet zhvillimi ekonomik i vendit dhe investitorët, qofshin të huaj apo të brendshëm.

“Është shumë e qartë se zvarritja e këtyre lëndëve i konvenon dikujt por në anën tjetër, pala tjetër zakonisht ankuesi dëmtohet shumë si në aspektin ekonomik si në atë psikologjik sepse këto raste po zvarriten jo vetëm deri në 6 vjet por shkojnë edhe më tej, 10 deri 11 vjet një rast serioz i kësaj fushe, që është turp për një vend i cili ka mbushur 11 vjet nga shpallja e pavarësisë”, deklaroi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Miftari thotë se dështimi për formimin e kësaj gjykate tregon qartë se akoma kemi sistem të pa kompletuar të drejtësisë si shtet i ri.

“Është ky një tregues i fuqishëm që na bënë të kuptojmë se si edhe 11 vjet pas shtetësisë së pavarur, të njohur ndërkombëtarisht, akoma ne nuk kemi arritur të ndërtojmë drejtësi të mirëfilltë. Kjo donë të thotë se nuk ka fare drejtësi dhe se ligji nuk vlen për të gjithë njësoj. Qytetarët vazhdojnë të presin me vite nëpër sportelet e gjykatave, kurse zgjidhja e ndonjë rasti, edhe kur bëhet, bëhet sipas lidhjeve politike por asnjëherë sipas së drejtës meritore dhe realitet, prandaj ndodhin vonesat e trajtimit me vite të tëra”, përfundoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )