Takimi Haradinaj-Ahmeti, zbulohen pazaret kundër rrëzimit të qeverisë

  • 05 July 2019 - 08:04
Takimi Haradinaj-Ahmeti, zbulohen pazaret kundër rrëzimit të qeverisë

“Sigurisht se pjesë e këtij takimi ishte interesi trekëndor Haradinaj-Devolli-Ahmetaj, gjegjësisht mbajtja në këmbë e qeverisë 'Haradinaj’ me votat e shitura të PSD-së, mbrojtja e monopolit të Devollëve dhe përfitimi i një posti të ri të Shpend Ahmetit nga qeveria”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ditë më parë janë takuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe lideri i PSD-së, Shpend Ahmeti, takim ky që ka ndodhur menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetues ekipin negociator të Kosovës.

Analistët politikë po e shohin këtë takim si një marrëveshje në mes të Ahmetit dhe Haradinajt që të mos e rrezikohet rrëzimi i qeverisë me votat e PSD-së, në mënyrë që kjo e fundit mos t’i bashkohet mocionit të LDK-së dhe VV-së.

Tanimë dyshohet me bazë që votat PSD-së do të jenë të shitura te koalicioni PAN vetëm e vetëm që ta mbajnë gjallë edhe për një kohë qeverinë Haradinaj, ngase Shpend Ahmeti është duke e përdorur për përfitime personale këtë qeveri të brishtë e jo funksionale. Kështu ka thënë për “Kosova Sot Online” analisti politik Florim Zeqa.

Image
Florim Zeqa

“Vetëm pak kohë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka shpallur antikushtetues ekipin negociator të Kosovës me Shpend Ahmetin bashkë kryesues, dhe rezolutës-jo obligative në Kuvend për ndalimin e monopolit të homologimit të Devollëve, ka ndodhur takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me pazaregjiun Shpend Ahmeti. Sigurisht se pjesë e këtij takimi ishte interesi trekëndor Haradinaj-Devolli-Ahmetaj, gjegjësisht mbajtja në këmbë e qeverisë 'Haradinaj" me votat e shitura të PSD-së, mbrojtja e monopolit të Devollëve dhe përfitimi i një posti të ri të Shpend Ahmetit nga qeveria. Premtimi i Ahmetit që nuk do ta rrezojë Haradinajn nga pushteti me votat e listës serbe, paraqet shantazhin e radhës të Shpend Ahmetit ndaj qeverisë megalomane, krejtësisht për qëllime dhe përfitime kriminale”, tha analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online “ .

Zeqa vlerëson se ngjashëm siç e përdori Behgjet Pacolli me 2 % të votave qeverinë e PAN-it, akoma më keq është duke e përdorur Haradinajn pazaregjiu Shpend Ahmeti pa qenë fare pjesë e qeverisë, dhe pa qenë PSD-ja që ai drejton parti e certifikuar në Kuvend.

“Por Shpendi me PSD-në megjithatë do ta tradhtojnë Haradinajn jo më vone se muaji shtator kur do të vendoset përfundimisht për matematikën e re politike të koalicioneve dhe rrëzimin e Qeverisë. Katapultimi eventual i Shpend Jahtit në ndonjë post të ri nga ana e kryeministrit Haradinaj, siç ishte ai i bashkë kryesuesit të ekipin negociator, paraqet shkelje të re kushtetuese dhe kontrabandim të radhës. Prandaj, kryeministri Haradinaj duhet të tregohet i vëmendshëm që të mos e bëjë gabimin e radhës me Shpend Ahmetin, për shkak se nuk janë votat e PSD-së që i garantojnë pushtetin, por janë kalkulime tjera që do ta rrëzojnë në shtator kabinetin e qeverisë që ai drejton”, deklaroi Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Prandaj sipas analistit Zeqa, duke qenë se është kështu, Haradinaj bën mirë që t'i korrigjoj disa nga gabimet e qeverisjes 2-vjeçare, për t'u kujtuar për të mirë nga qytetarët, ndryshe epoka e tij qeverisëse do të përfundojë në mënyrën më negative të mundshme.

(Kosova Sot Online )