Gjuriq: Ndalesa për hyrje të zyrtarëve serb, pasqyrim i nervozizmit të Prishtinës

  • 05 July 2019 - 09:58
Gjuriq: Ndalesa për hyrje të zyrtarëve serb, pasqyrim i nervozizmit të Prishtinës

I ashtuquajturi drejtor i zyrës serbe për Kosovë, Marko Gjuriq ka deklaruar se ndalesa për hyrje të zyrtarëve serb në Kosovë “është veprim i paparë dhe skandaloz”, i cili është “pasqyrim i nervozizmit të Prishtinës për shkak të asaj se vitet e fundit nuk po kalojnë mirë në skenën ndërkombëtare”.

“Komuniteti ndërkombëtar ka mekanizma ta zgjidhë këtë. Mos lejoni t’ju gënjejnë. Ekzistojnë mekanizmat shumë konkrete, sidomos kur është në pyetje lëvizja e lirë”, ka thënë Gjuriq për televizionin serb Pink.

Ai ka thënë se” qëllimi i Prishtinës është krijimi i getos nën qiell të hapur”, sepse “i nervozon lidhja e serbëve me Serbinë”.

Gjuriq ka thënë se pasi presidenti i tij Aleksandar Vuçiq “guxoi” të përmend Florim Ejupin, atë e kanë sulmuar “jo vetëm përfaqësuesit shqiptarë” por edhe disa të cilët “kanë emër dhe mbiemër serb”. 

“Derisa zyrtarët kosovarë kanë menduar se me Serbinë e sotme mund të flasin si me Serbinë e Tadiqit dhe Gjillasit kanë qenë të qetë. Tani e shohin se më nuk munden ashtu. E shohin se Serbia tani ka më tepër para dhe po i investon në ushtri, dhe kjo po i nervozon”, ka thënë Gjuriq.

Gjuriq gjithashtu ka thënë se Serbia do të vazhdojë të luftojë, dhe se serbët në Kosovë “nuk duhet të brengosen” sa i përket furnizimit dhe lëvizjes.

(Kosova Sot Online)