Zvicerani që ia pa sherrin Whatsappit sikurse kosovari i grupit ‘radari’

  • 05 July 2019 - 12:47
Zvicerani që ia pa sherrin Whatsappit sikurse kosovari i grupit ‘radari’

Vallë a është një grup nga Whatsapp-i privat apo publik? Gjykata në Arbon ka vendosur për këtë të fundit dhe gjobiti një person për paralajmërim e të tjerëve për një radar, shkruajnë mediat zvicerane.

Një banor 44-vjeçar i Thurgaut paralajmëroi anëtarët e një grupi privat në Whatsapp, për një radar në Kantonin e St. Gallenit. Për këtë veprim, ai u dënua nga Gjykata rajonale në Arbon me një gjobë prej 500 frangash, siç raporton “Thurgauer Zeitung”.

Zvicerani në grup u ftua nga një mik. Në atë kohë grupi përbëhej nga vetëm 30 anëtarë. Në qershor të vitit 2017, zvicerani e paralajmëroi grupin në Whatsapp për një radar në relacionin në mes Niederwil SG dhe Gossau SG. Me kërkesën e një anëtari të grupit, ai i specifikoi fjalët: “Në pyll ose nën urën e autostradës”. 

Prokuroria më pas i shqiptoi urdhër ndëshkimor për paralajmërimin e opinionit për kontroll të trafikut.

Kundër këtij ndëshkimi, ai parashtroi ankesë. Me këtë rast, lënda u soll para Gjykatës rajonale.

Njeriu mbrohej me argumentimin se grupi Whatsapp-i nuk është publik. Grupi nuk kishte qasje për të gjithë, siç është psh një grup nga Facebook. Bashkëngjitja në grup bëhet vetëm duke i dërguar ftesë administratorit të grupit. “Facebook është një platformë. Whatsapp-i është një shërbim për këmbim mesazhesh”, ka argumentuar mbrojtësi i të pandehurit.

Gjykata rajonale e Arbonit e rastin e vlerësoi ndryshe dhe zviceranin e dënoi me një gjobë prej 500 frangash, informon Albinfo. Përpos kësaj, ai gjithashtu duhet të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore në një shumë prej 1.600 frangave.

Vendimi ende nuk është përfundimtar. I akuzuari dëshiron të prolongojë vendimin. Vetëm atëherë ai do të vendosë nëse do ta çojë rastin në gjykatë më të lartë.

Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji: Një vit më parë, një person ishte dënuar për paralajmërimin që kishte bërë në Whatsapp.

(Kosova Sot Online)