Tensionet/ Putin, akuza të forta për NATO: Të ndërpritet gjakderdhja, a e mbani mend…?

  • 06 July 2019 - 09:32
Tensionet/ Putin, akuza të forta për NATO: Të ndërpritet gjakderdhja, a e mbani mend…?

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka fajësuar NATO-n për shkatërrimin e Libisë, duke thënë se rezultati është kaotik, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte të mbajtur në Romë, Putin po ashtu tha se është e rëndësishme të rikujtojmë se si filloi.

“A e mbani mend kush e shkatërroi Libinë? Ishte një vendim i NATO-s. Ishin avionët evropianë që bombarduan Libinë. Çfarë shohim është kaosi dhe luftimet mes grupeve të ndryshme të armatosura. Nuk mendoj se Rusia duhet të jetë kontribuesi kryesor në zgjidhjen e konfliktit. Le t’i pyesim ata që e krijuan problemin”, tha Putin.

“Ne duam ta sfidojmë këtë problem. Ne besojmë se është e rëndësishme të flasim me të gjithë. Ne gjithashtu mendojmë se është e nevojshme të ndërpritet gjakderdhja sa më shpejtë të jetë e mundur. Është e nevojshme të fillojmë dialogun sa më shpejtë të jetë e mundur”, shtoi ai.

Ai tha se gjithnjë e më shumë militantë dhe terroristë po zhvendosen nga Siria në Libi, që është “shumë kërcënuese”.

“Ne duhet të punojmë me miqtë tanë nga Bashkimi Evropian për të vazhduar dialogun me të gjitha palët në Libi në mënyrë që t’i ndihmojmë popullit libian të rikthejë funksionimin e institucioneve të tyre”, tha presidenti rus.

Kryeministri italian Conte tha se komuniteti ndërkombëtar mund të arrijë unitet dhe t’u ndihmojë të gjitha palëve të përfshira në Libi të ulen në tavolinën e negociatave dhe të arrijnë armëpushim.

Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO çoi në rrëzimin dhe vdekjen e liderit Muammar Gaddafi, i cili qeverisi vendin mbi katër dekada.

Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në lindje të vendit me të cilën gjenerali Khalifa Haftar është i lidhur, ndërsa tjetra në Tripoli e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga OKB-ja. 

Duke folur për mosmarrëveshjet tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës, Putin tha se ekonomia globale do të dëmtohet nëse dy vendet dështojnë të arrijnë një rrugëdalje nga fërkimet tregtare.

“E gjithë ekonomia globale do të dëmtohet, me tregtinë globale që do të shënojë ulje me 17 për qind deri në 2024 dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto ulje me 2 për qind”, tha Putin, duke shtuar se kjo do të ishte keq për të gjithë.

Duke komentuar vazhdimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë deri në fund të vitit 2020, Putin theksoi se vendet e BE-së po humbin miliona dollarë shkaku i sanksioneve, por fundi i tyre varet kryesisht nga BE-ja.

BE-ja fillimisht vendosi sanksione ekonomike ndaj Rusisë në vitin 2014 rreth rolit të saj në Ukrainë. Si kundërpërgjigje, Rusia ndërpreu importet e disa produkteve ushqimore dhe produkteve tjera evropiane.

Konferenca për media e Putinit vjen pas vizitës njëditore në Itali, ku ai takoi Papa Françeskun, presidentin italian Sergio Mattarella dhe kryeministrin Conte.

Putin dhe Papa diskutuan mbi krizat në Siri, Venezuelë dhe Ukrainë.

(Kosova Sot Online)