Habit kryetarja e re e Barcelonës: Nuk e zgjerojmë aeroportin, nuk duam më shumë turistë

  • 06 July 2019 - 10:56
Habit kryetarja e re e Barcelonës: Nuk e zgjerojmë aeroportin, nuk duam më shumë turistë

Kryetarja e porsazgjedhur e qytetit të Barcelonës, Ada Colau, është zotuar se do ta kufizojë numrin e anijeve me turistë që do të lejohen të ndalen në portin detar të këtij qyteti dhe se do ta kundërshtojë zgjerimin e aeroportit, duke thënë: “Ne nuk kemi kapacitete të pafundme”.

Colau tha se këto kufizime do ta zvogëlonin nivelin e ndotjes në qytet, ku cilësia e ajrit është vazhdimisht jashtë standardit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kufirin e lejuar të oksidit të azotit.

Këto masa do të ndikonin edhe në zvogëlimin e numrit të turistëve në qytet. Kontrollimi i numrit të jashtëzakonshëm të turistëve është prioritet në agjendën e këshillit të qytetit të Barcelonës.

Sipas një sondazhi që u bë vitin e kaluar me banorët e qytetit të Barcelonës, ata vlerësojnë se turistët janë problemi i dytë më i madh, menjëherë pas mungesës së strehimit të përballueshëm, e cila gjithashtu është shkaktuar nga shtimi i banesave për turistë. 

Të mërkurën e ardhshme, autoritetet lokale pritet ta shpallin gjendjen emergjente të klimës dhe do t’i paraqesin planet për zgjerim të zonës me shkallë të ultë të gazrave dhe ndalim të qarkullimit për automjete ndotëse.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, më shumë se 2.5 milionë turistë arritën në Barcelonë përmes anijeve. Analistët thonë se ata kontribuojnë pak për zhvillimin e qytetit, sepse secili shpenzon mesatarisht vetëm 57 euro gjatë qëndrimit të shkurtër në këtë vend, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)