Vjen akuza e rëndë: Ja projekti që i bashkon mafinë politike në Kosovë

  • 06 July 2019 - 13:12
Vjen akuza e rëndë: Ja projekti që i bashkon mafinë politike në Kosovë

“Një projekt i tillë në këtë kohë kur gjendja socio-ekonomike gjithnjë e më shumë po rëndohet, më së paku ka nevojë Kosova. Megjithatë ky projekt po shtyhet përpara për interesat e mafies politike, pasi nuk mund ta quash ndryshe, kur kihet parasysh ndërtimi i këtij kompleksi qeveritar nga firma MABETEX”, tha analisti politik, Nexhat Haziri.

Analistët politikë kanë reaguar ashpër duke e parë me shumë dyshim lajmin e para dy ditësh, sipas të cilit Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar memorandumin për Prishtinën e Re, projekt në të cilin parashihet që të bëhet bartja e institucioneve qeveritare në Hajvali.

Për këtë projekt pritet që punimet t’i kryej “Mabetex-i” i Behgjet Pacollit, prandaj edhe sipas analistëve politikë, ky është edhe një projekt tjetër për trashjen e milionave të politikanëve kosovarë.

Për më tepër, sipas tyre, ky është edhe një skandal që ndodhë vetëm në Kosovë dhe është edhe një shpërblim për mafio-oligarkun, Behgjet Pacolli duke u bërë bashkë të gjithë politikanët për përfitime personale në këtë projekt. 

Duke folur lidhur me këtë, analisti politik, Nexhat Haziri thekson për “Kosova Sot Online “se më së paku i duhet Kosovës një projekt i tillë megaloman i kushtueshëm në të cilin do të derdhen milionat, në vend të ndonjë projekti tjetër zhvillimet që përmirëson gjendjen socio ekonomike të qytetarëve të Kosovës, jo për interesa të individëve, oligarkë e për bizneset e tyre.

Image
Nexhat Haziri

“Një projekt i tillë në këtë kohë kur gjendja socio-ekonomike gjithnjë e më shumë po rëndohet, më së paku ka nevojë Kosova. Megjithatë ky projekt po shtyhet përpara për interesat e mafies politike, pasi nuk mund ta quash ndryshe, kur kihet parasysh ndërtimi i këtij kompleksi qeveritar nga firma MABETEX, por edhe shpronësimi që do i behet pronës private për nevojat e këtij kompleksi, e që janë prona të një nga partnerët e koalicionit qeveritar”, tha analisti, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, edhe pse këta njerëz kanë interesa të ndryshme politike, kur është në pyetje paraja që e zhvatin nga buxheti i shtetit, ata bëhen bashkë dhe harrojnë dallimet, pasi që qytetarët kanë rënë në gjumë dhe janë indiferent dhe nuk po reagojnë fare.

“Pra ky projekt po i bënë bashkë të gjithë zhvatësit e buxhetit të vendit, dhe kur janë në pyetje interesat e tyre financiare, këta politikanë harrojnë armiqësitë në mes tyre. Është për habi indiferenca e qytetarëve të Kosovës që lehtësisht po pranojnë të zhvatën çdo ditë nga këta zaptues , qëllimi i të cilëve është varfërimi i qytetarëve dhe detyrimi i tyre për migrim, në mënyrë që sundimi i këtyre politikanëve kriminel të jetë sa më i gjatë dhe sa më i lehtë”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot Online)