Dështim total, kërkohet urgjentisht rrëzimi i koalicionit PAN

  • 06 July 2019 - 15:24
Dështim total, kërkohet urgjentisht rrëzimi i koalicionit PAN

“Ky pozicion i dobët i vendit në arenën ndërkombëtare, përveç që është rezultat i një diplomacie të dobët që udhëhiqet nga Pacolli, është edhe rezultat i një keq qeverisje nga koalicioni PAN që ka prodhuar skandale të shumta, sidomos me emërime të militantëve partiak pa asnjë kriter në përfaqësitë e vendit në shtete të ndryshme dhe institucione të tjera ndërkombëtare”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Mos sjellja e asnjë njohje të vetme Kosovës për një vit të plotë kalendarik dhe humbja e disa njohjeve ekzistuese për vitet e kaluar, si pasojë e diplomacisë së dobët dhe të dështuar nga ministri i jashtëm Behxhet Pacolli, sipas analistit politik, Nexhat Haziri, është një nga arsyet e fuqishme për të cilat do të duhej ndëshkuar me urgjencë i gjithë koalicioni PAN, me rrëzim të kësaj qeverie dhe shkuarje në zgjedhje të reja.

Image
Nexhat Haziri

“Është bërë një vit e më shumë që Kosovës nuk i ka ardhur as edhe një njohje, përkundër që kemi pasur disa tërheqje të njohjes së shtetësisë së Kosovës nga disa vende, dhe kjo fletë për një dështim total të diplomacisë kosovare e cila është pa strategji dhe pa vizion për të siguruar njohje të reja, për anëtarësimin e vendit në organizata relevante ndërkombëtare dhe ka dobësuar mjafte pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare. Ky pozicion i dobët i vendit në arenën ndërkombëtare, përveç që është rezultat i një diplomacie të dobët që udhëhiqet nga Pacolli, është edhe rezultat i një keq qeverisje nga koalicioni PAN që ka prodhuar skandale të shumta, sidomos me emërime të militantëve partiak pa asnjë kriter në përfaqësitë e vendit në shtete të ndryshme dhe institucione të tjera ndërkombëtare”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, në aspektin e sigurimit të njohjeve për Kosovën ka ndikuar edhe dialogu me Serbinë, që nën përfaqësimin e vendit nga presidenti Thaçi në këtë proces ka dëmtuar subjektivitetin shtetëror të vendit, duke e bërë atë të diskutueshëm sidomos me idetë e tij për korrigjim kufijsh. 

Prandaj, Haziri konsideron se për riparim të krejt këtyre dështimeve dhe shpëtim të rrëshqitjes më të thellë në greminë, mundësia e vetme është rrëzimi i qeverisë PAN dhe shkuarja në zgjedhje të reja.

“Andaj për ta ndaluar këtë degradim të vendit qoftë në aspektin e brendshëm dhe në rrafshin ndërkombëtar, duhet ti dhënë fund qeverisjes së PAN-it dhe vendi të shkoj sa më parë në zgjedhjet e parakohshme që do të prodhonin institucione legjitime dhe kredibile në funksion të forcimit të subjektiviteti shtetëror të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, përfundoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)