“Vjedhje klasike”, kërkohet përgjegjësi për 800 mijë eurot

  • 06 July 2019 - 17:24
“Vjedhje klasike”, kërkohet përgjegjësi për 800 mijë eurot

“Çdo ditë jemi dëshmitarë të organizimit të përvjetorëve nën patronatin e presidentit apo kryeministrit, kohëve të fundit edhe të organizimit të ceremonive të varrimit të familjarëve të njerëzve të pushtetit me para të shtetit, por asnjëherë deri më tani nuk janë bërë publike shumat e shpenzuara për rastet në veçanti apo në përgjithësi nuk janë bërë publike lëvizjet financiare nga Ministria e Financave për këto destinacione”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Skandali i radhës i zbuluar nga zyra e Auditorit Kombëtar të Kosovës për vitin e kaluar, flet për mënyrën e shpenzimit të hiq më pak se mbi 600 mijë euro, vetëm për festimet e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, pa asnjë kontratë me operatorët ekonomik.

Zyra e Auditorit ka gjetur se Ministria e Kulturës, përmes së cilës janë shpenzuar mbi 800 mijë euro, nuk ka nënshkruar paraprakisht asnjë kontratë me kompanitë e kontraktuara për festimet, ashtu siç është e obliguar me ligjit për Shpenzimin e parave publike.

E sipas analistit politik, Florim Zeqa, kjo gjetje e Zyrës së Auditorit në Ministrinë e Kulturës, nuk ka se si të kualifikohet ndryshe vetëm se vjedhje klasike e buxhetit të shtetit, që gjithsesi do të duhej ndjekur nga ligji.

Image
Florim Zeqa

Mirëpo Zeqa thotë se kjo praktikë e shkeljes së të gjitha ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, edhe kur është fjala te menaxhimi I parasë publike, është një fenomen kriminal i instaluar në të gjitha nivelet, jo vetëm në festa por në baza ditore, prandaj nuk po merret askush me këtë çështje.

“Diçka e tillë po ndodhë në të dyja nivelet e qeverisjes dhe në të gjitha institucionet e shtetit, por jo vetëm për festimet. Çdo ditë jemi dëshmitarë të organizimit të përvjetorëve nën patronatin e presidentit apo kryeministrit, kohëve të fundit edhe të organizimit të ceremonive të varrimit të familjarëve të njerëzve të pushtetit me para të shtetit, por asnjëherë deri më tani nuk janë bërë publike shumat e shpenzuara për rastet në veçanti apo në përgjithësi nuk janë bërë publike lëvizjet financiare nga Ministria e Financave për këto destinacione”, deklaroi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Zeqa thotë se është fatkeqësi e madhe që kur bëhet fjalë për mbështetjen e financiare të ndonjë qytetari me gjendje të rëndë sociale për nevojë emergjente, atëherë arka e shtetit nuk funksionon, është e mbyllur dhe kërkohet respektimi i të gjitha procedurave, madje edhe imagjinare. 

“Arka e shtetit është gjithnjë e hapur për njerëzit e pushtetit, ndërsa është e mbyllur për njerëzit që kanë kontribuar më së shumti për shtetin. Kështu, pushtetarët me paratë e shtetit i ndajnë dhe diskriminojnë qytetarët e vendit; në qytetarë të rangut të parë, të dytë, të tretë e kështu më radhë. Për ilustrim, brenda 10 ditësh në Kosovë vdiqën dy figura të jetës politike, publicistike e kulturore, por nuk u trajtuan njëjtë prej pushtetarëve. Njërit prej tyre ceremonia e varrimit iu krye vetëm prej familjes, por me pjesëmarrjen e shumë atdhetarëve, i injoruar nga mediet (e pushtetit) dhe pa pjesëmarrjen e pushtetarëve, ndërsa tjetrit nën patronatin e presidentit dhe mbështetjes së fuqishme mediale. Pra, pushtetarët vjeljen e parave nga buxheti i shtetit po e bëjnë si në bahçe të babës, pa pyetur njeri dhe pa respektuar ligjet e këtij vendi. Edhe pse çdo gjë po ndodhë para syve të qytetarëve, prokuroria po mbyllë sytë para abuzimeve, zhvatjeve dhe krimit të përditshëm në të gjitha institucionet pa dallim”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Florim Zeqa.

(Kosova Sot Online)