Isa Mustafa heshturazi drejt kreut të LDK’së, synon postin e presidentit

  • 06 July 2019 - 17:58
Isa Mustafa heshturazi drejt kreut të LDK’së, synon postin e presidentit

Lideri aktual i LDK’së, Isa Mustafa, s’e ka në plan të largohet nga udhëheqja e partisë. Heshturazi ka nisur idenë t’i rikonfirmohet Shef në Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova. Burimet kanë thënë se po synon pozitën e Presidentit pasi të rikonfimrohet në krye të LDK’së.

Isa Mustafa s’e ka shkruar asnjë fjalë prej javës së kaluar kur u kap me Muharrem Nitajn e AAK’së lidhur me atë se kush është shkelës më i madh i Kushtetutës.

Burimet kanë thënë se Kryetari i LDK’së është duke u marrë me zgjedhjet partiake ku po synon të fitojë edhe një mandat.

Pavarësisht se disa prej përkrahësve të tij kanë humbur nëpër degët e LDK’së, Mustafa në mënyrë të heshtur po vazhdon të bëhet gati për Kuvendin Zgjedhor.

Një zyrtar i LDK’së ka thënë se po planifikon shpejt ta mbajë Kuvendin e Përgjithshëm pasi kanë përfunduar zgjedhjet në shumicën e komunave përfshirë sot edhe në Istog, Pejë e Kamenicë.

Burimet kanë thënë se Mustafa po synon pozitën e Presidentit përmes rimarrjes së fornit të LDK’së.

Pavarësisht se në garë pritet të hyjnë edhe të paktën tre emra për t’u matur në garën për Shef të LDK’së. Ata janë: Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu e Vjosa Osmani. Te tre këta zyrtarë të LDK’së e kanë lënë të hapur mundësinë që t’i hyjnë garës për të udhëhequr partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Sejdiu, Haziri e Osmani janë ndër zyrtarët që kanë qenë pjesë e LDK’së prej fillimeve të tyre në politikë.

Por, kush i ka gjasat më të mëdha për të marrë udhëheqjen e LDK’së?

Fatmir Sejdiu, ish-Kryetar i LDK’së, ish-President dhe njëri prej themeluesve të LDK’së ka pasur qëndrim kritik pse partia e Rugovës vazhdimisht i ka humbur zgjedhjet e fundit, sidomos ato nacionale. Ka qenë i gatshëm t’i hyjë garës edhe në zgjedhjet e fundit në LDK ku Isa Mustafa e rimori mandatin e dytë në krye të partisë.

Lutfi Haziri, prej pasluftës, ka qenë në pozita të larta në LDK. Duke filluar nga Kryetar komune, Ministër, Zëvendëskryeministër, deputet e së fundmi prapë Shef i Komunës së Gjilanit.

Në zgjedhjet e fundit në LDK, Haziri kishte thënë se nuk po i hyn garës për ta marrë kreun e partisë pasi nuk po dëshiron ta rrëzojë Kryeministrin Mustafa nga pozita partiake.

Ndërsa, tash ka shfaqur ambicien për t’u bërë Shef i LDK’së por paraprakisht ka kërkuar një marrëveshje politike. Ka kërkuar unitet në parti për të mos pasur çarje pastaj. Ka shfaqur gatishmëri t’i bashkojë të gjitha grupet që aktualisht janë në parti, edhe t’i merr afër vetes themeluesit e partisë.

Vjosa Osmani, kohëve të fundit, ka refuzuar të flasë konkretisht se kur do t’i hyjë garës për Kryetare të Partisë. Në garën e fundit në LDK s’ishte lejuar as të kanidonte meqë nuk kishte kaluar garën në Këshill të Përgjithshëm të LDK’së.

Pavarësisht problemeve shëndetësore, Isa Mustafa, ende s’e ka thënë përfundimisht se nuk do të kandidojë për Kryetar partia. Kur ishte bërë Shef i LDK’së herën e parë, kandidaturën s’e kishte publikuar deri në ditën kur ishte mbajtur Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së.

Krejt jashtë garës për Kryetar të LDK’së po vazhdon të mbetet Avdullah Hoti, Shef aktual i deputetëve të LDK’së. 

Hoti, i cili dështoi të dalë fitues në zgjedhjet e fundit nacionale si kandidat për Kryeministër, s’ka shfaqur publikisht ambicie për të udhëhequr LDK’në. S’ka pasur përkrahje as prej zyrtarëve tjerë të partisë përfshirë Isa Mustafën.

Kujtim Shala, aktualisht, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka vendosur të tërhiqet nga gara për Shef partiak.

Edhe Imri Ahmeti ka thënë se nuk do t’i hyjë garës vetëm nëse një gjë e tillë i kërkohet.

Dy nënkryetarët tjerë të LDK’së, Agim Veliu e Haki Rugova, s’kanë shfaqur ambicie për Kryetar partie. Por, as nuk kanë treguar se kënd do ta përkrahin në garën për Kryetar të LDK’së.

Ndryshe, Isa Mustafa, kishte marrë LDK’në në fundin e vitit 2010, kur kishte mundur Fatmir Sejdiun. Prej atëherë, Mustafa ka shënuar tri humbje të zgjedhjeve nacionale, ka humbur Komunën e Prishtinës, por ka rikthyer disa komuna që me herët e kishte humbur LDK’ja përfshirë Pejën, Gjilanin e Lipjanin. Isa Mustafa ishte rizgjedhur Kryetar i LDK’së në mandatin e kaluar me aklamacion pasi nuk e kishin lejuar të kishte kundërkandidat. Vjosa Osmani kishte dështuar të mblidhte nënshkrimet për ta sfiduar Mustafën.

Vitin e kaluar, Shefi i LDK’së kishte pasur probleme shëndetësore derisa ishte trajtuar Gjermani. Gjatë gjithë kohës, LDK ishte udhëhequr prej Nënkryetarëve të Partisë. Aktualisht, LDK ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament dhe numrin më të madh të Komunave.

Sidoqoftë, prej pas luftës në Kosovë, Isa Mustafa kishte mbajtur pozita nëpër borde të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të Universitetit të Prishtinës. Ai doli në skenën politike, duke qëndruar afër Fatmir Sejdiut. Ky i fundit kishte vendosur ta kandidonte për Kryetar të Prishtinës më 2007, ku kishte fituar përball Fatmir Limajt të PDK’së.

Po në vitin 2010, Mustafa ngjitet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kishte fituar garën me Fatmir Sejdiun, të cilin e kishte këshilluar në cilësinë e ekspertit të ekonomisë. Ky sukses i tij ishte krejtësisht falë gjuhës së tij të ashpër kundër PDK’së dhe kundër SHIK’ut.

Duke qenë Kryetar i LDK’së, Mustafa për një kohë udhëheq edhe Prishtinën, deri në vitin 2013, kur humb garën e drejtpërdrejtë me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes.

(Kosova Sot Online)