Kelmendi thotë se mërgata pret që të zgjidhet problemi i barrierave për investime

  • 07 July 2019 - 12:19
Kelmendi thotë se mërgata pret që të zgjidhet problemi i barrierave për investime

Mërgata e Kosovës veçanërisht ajo nga Gjermania po shpreh gatishmërinë për të investuar në Kosovë. Në kuadër të Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani që ka mbi 500 firma anëtare-aktive, synojnë tregun e Kosovës në shumë fusha të ndryshme. Ndonëse, sipas komunitetit të biznesit në diasporë ka barriera për të investuar në Kosovë, por që konsiderojnë që janë në rrugën e duhur për t’u zgjidhur.

Drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Vëllaznim Kelmendi, pohon se ka pasur disa takime me drejtues të Qeverisë dhe komunave të Kosovës për të gjetur zgjidhje në sjelljen e kapitalit të mërgatës në vendlindje.

Kelmendi: Ka probleme, por që presim të zgjidhen

“Ka përmirësime të shumta për klimën e investitorëve prej diasporës. Natyrisht që ka edhe pengesa, por që është duke u punuar në atë drejtim. Ne si Union kemi vu kontakte direkte prej kryeministrisë deri te kryetarët e komunave, të jemi të sinqertë ka lëvizje pozitive”, thotë Kelmendi.

Drejtori i Unionit që është nga firma ‘Kelmendi GmbH’, thotë se është firma e parë shqiptare e cila ka marrë produktet kosovare – ushqimore dhe ka plasuar në tregun e Evropës.

Kelmendi shton se të gjitha brendet e Kosovës, “Kelmendi GmbH’, i plason në tregun e Evropës.

Kelmendi: Jemi fokusuar në eksportin e produkteve të Kosovës në tregun e Evropës

“Ne kemi bërë investime të shumta në Kosovë, ndërsa investimi më i qëlluar ka qenë, që ne jemi fokusuar në eksportin e produkteve të Kosovës në tregun e Evropës. Produktet si ato bujqësore, ushqimore, por edhe ato industriale që i ka Kosova”, pohon ai, raporton kp.

Po ashtu, drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani ka mirëpritur marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e parkut të bizneseve për mërgatën, duke thënë se Kosova po i hap dyert për mërgatën shqiptare.

Kelmendi: Parku i bizneseve një ombrellë për mërgatën

“Mendoj se me këtë park, sot Kosova po i hap dyert diasporës dhe firmave shqiptare. Ne kemi punuar me vite që të vijmë deri te kjo ditë që sot po bëhet realitet”, deklaron Kelmendi.

Parku i bizneseve për diasporën që do të jetë mbi 50 hektarë sipërfaqe, sipas tij, do të jetë në funksion së shpejti për bizneset shqiptare.

Në fund, Kelmendi deklaron se qëllimi i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, është që të bëjnë rrjetëzimin e firmave shqiptare. Këto kompani kanë arritur të nënshkruajnë mbi 150 kontrata bashkëpunimi në vlerë dhjetëra milionë euro.

(Kosova Sot Online)