Skandal i radhës në Kosovë: Vidhen mbi 600 mijë euro në emër të Pavarësisë

  • 07 July 2019 - 13:36
Skandal i radhës në Kosovë: Vidhen mbi 600 mijë euro në emër të Pavarësisë

“Nuk e di se deri kur Prokuroria do i mbyllë sytë dhe veshët para këtyre skandaleve që po ndodhin në Kosovë, deri kur do të rrinë të heshtur pa marrë asnjë masë kundër hajnave të tenderëve dhe kriminelëve ekonomik”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Image
Dardan Grapci

Njohësi i fushës së ekonomisë, eksperti Dardan Grapci, ka reaguar ashpër pas publikimit të Raporti të Auditorit kombëtar për vitin e kaluar, e me gjetjet e të cilit është zbuluar abuzimi skandaloz i mbi 600 mijë eurove, kinse për festimet e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, pa asnjë kontratë me operatorët ekonomik.

Grapci thekson se ky rast, por edhe shumë të tjera të pa publikuara flasin se sa thellë është futur dora e hajnisë në zhvatjen e buxhetit të shtetit.

“Kosova është bërë shtet model për shpenzime skandaloze pa kontroll e pa llogaridhënie para ligjit, madje pa e ditur fare se kah po shkojnë paratë sikur të ishin ato vetëm 1 pikë e ujit në shkretëtirë. Dhe krejt kjo hajni po ndodhë, jo vetëm në këtë rast që e ka zbuluar auditori, por edhe në dhjetëra e qindra të tjera, vetëm pse sundimi i ligjit në Kosovë nuk ekziston, po mungon dhe ka munguar gjithmonë deri më sot. Po të ishte zbatuar ligji nga këta që po harxhojnë mijëra euro vend e pa vend, sot Kosova do kishte shteti nr. 1 në rajon sa i përket ekonomisë, punësimit dhe arsimit, por po ndodhë e kundërta. Rinia po ikin nga Kosova, mësimdhënësit po japin dorëheqje për të gjetur punë në ndonjërin shtet të BE-së, mjekët më s’po punojnë në Kosovë për 300 euro kur mund të paguhen nga 3000 mijë euro në Gjermani dhe Zvicër etj”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Grapci ka kritikuar edhe organizimin tepër të dobët të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë me të cilat do të arsyetoheshin edhe shpenzimet e buxhetit.

“Për festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës edhe 5 milion po ti kishin shpenzuar të mirë planifikuara e me transparencë për të dikur si dhe nga po shkojnë ato mjete, do ua kisha bërë hallall sic thotë populli, por aq sa e di unë, asnjë komunë, duke filluar nga Peja e deri tek komuna e Prishtinës nuk kanë pasur asnjë organizim kulturo-artistik për qytetarët, për rininë, sidomos për fëmijët e vegjël, por qytetet dukeshin njëjtë sikurse në ditët e zakonshme të punës, thua ti që s’ka festë fare, thua ti që s’ka entuziazëm për liri. Krejt përgjegjësia për këtë zhvatje dhe për këtë zhgënjim të qytetarëve bije në kupolën e qeverisë së Kosovës dhe zbret teposhte deri tek kryetarët e komunave”, tha Grapci për "Kosova Sot Online”.

ë Ai dyshon që këto vjedhje të buxhetit janë bërë me dijen e institucioneve të drejtësisë, ngase prokuroria po heshtë.

“Nuk e di se deri kur Prokuroria do i mbyllë sytë dhe veshët para këtyre skandaleve që po ndodhin në Kosovë, deri kur do të rrinë të heshtur pa marrë asnjë masë kundër hajnave të tenderëve dhe kriminelëve ekonomik. Me të vërtetë në nuk mundë ta dimë se çka duhet të bëjnë qytetarët që prokurorët ta kuptojnë se këta deputet, se këta kryetar dhe ministra janë duke varfëruar popullin dita ditës me zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe shtetin po e sjellin në pikën zero duke e lënë pa zhvillim ekonomik dhe pa dinjitet e perspektivë qytetare”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )