Alarmon eksperti i ekonomisë: Të veprojë shteti, kështu po plaçkiten mërgimtarët në Kosovë

  • 08 July 2019 - 08:32
Alarmon eksperti i ekonomisë: Të veprojë shteti, kështu po plaçkiten mërgimtarët në Kosovë

“Në fakt te ne po vërehet tani me të madhe kjo stuhi e fillimit të ngritjes së çmimeve të të gjithë artikujve dhe të shërbimeve pa dallim. Kjo nuk do të duhej lejuar në këtë mënyrë, shteti duhet të ketë një mbikëqyrje dhe kontroll sepse nuk duhet lejuar që gjithçka ta merr stuhia me vete varësisht nga ambiciet e pasurimit të shpejtë të oligarkëve ”, tha Grapci për ”Kosova Sot Online”.

Njohës të fushës së ekonomisë kanë reaguar ashpër kundër fenomenit të ditëve të fundit që po vërehet në tregun e Kosovës, vrapin për ngritjen e të gjitha çmimeve të artikujve të ndryshëm dhe shërbimeve pa asnjë arsyetim dhe pa pasur asnjë lloj kontrolli.

Ngritja e çmimeve ka përfshirë të gjitha marketet dhe restaurantet në Kosovë, posa ka filluar sezona verore dhe ardhja e mërgimtarëve.

Me këtë soj veprimi, njohësit e fushës së ekonomisë vlerësojnë se pavarësisht arsyes që ka për ngritjen e disa çmimeve që ndërlidhen me sezonin turistik, të tjerat kanë për qëllim vetëm që ta plaçkitin diasporën shqiptare dhe të pasurohen shpejtë e shpejtë oligarkët e mafies dhe krimit të organizuar. Sipas tyre, në kushte normale do të duhet pasur një kontroll sistematik ditor të tregut nga ana e inspektoratit.

Image
Dardan Grapci

“Në fakt te ne po vërehet tani me të madhe kjo stuhi e fillimit të ngritjes së çmimeve të të gjithë artikujve dhe të shërbimeve pa dallim. Kjo nuk do të duhej lejuar në këtë mënyrë, shteti duhet të ketë një mbikëqyrje dhe kontroll sepse nuk duhet lejuar që gjithçka ta merr stuhia me vete varësisht nga ambiciet e pasurimit të shpejtë të oligarkëve ”, tha eksperti i fushës së sigurisë, Dardan Grapci për ”Kosova Sot Online”.

Ndryshe ai mendon se nëpër lokalet e specializuara hoteliere dhe turistike të sezonës, është normale në çdo vend që stina e turizmit ndikon në ngritjen e çmimeve për disa centë më shumë dhe kjo nuk është negative, sepse të njëjtat zbresin përsëri në sezonin vjeshtës sipas standardit të popullatës lokale.

“Pra duhet ta bëjmë këtu një dallim dhe nuk është negative nëse çmimet rriten për disa cent më shumë në qytetet dhe në zonat që janë karakteristike për joshjet turistike, sepse në çdo shtet turistik apo qytet çmimet atje rriten sipas standardit, por në Kosovë është një e keqe që po na ndjek vazhdimisht, edhe kur i rrisin çmimet nuk i kthejnë në çmimin që i kanë pasur para sezonës verore por e lënë ashtu deri në fund të shtatorit e madje ndodhë që vazhdojnë përfundimisht me të njëjtat. Kjo praktikë duhet kontrolluar dhe nuk duhet lejuar”, deklaroi Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, duhet të jenë nën mbikëqyrje të përqendruar sidomos çmimet e prodhimeve ushqimore, sepse duke e ditur që shumë familje nuk i kanë as kushtet elementare të favorshme për jetesë, atëherë ato janë të parat që bien viktimë e kësaj loje çmimesh.

“Kjo është një arsye pse tani do të duhej të ishte shumë aktiv inspektorati i tregut dhe të vepron së bashku me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, qoftë duke kontrolluar në çdo market dhe njësi tjetër tregtare, qoftë duke dhënë këshilla publike që sidomos çmimet e shportës ditore ushqimore mos të preken për shkak kushteve ekonomike që i ka Kosova”, tha Grapci për "Kosova Sot Online”.

Ndryshe, Grapci thotë se toleranca e ngritjes së çmimeve nëpër shërbimet e qendrave turistike, për standardin e turizmit kosovar mund të jetë deri në masën 20%, sepse standarde të ngjashme zbatohen edhe nëpër të gjitha shtetet me turizëm të zhvilluar.

“Prandaj do të ishte tepër e nevojshme që të mos lejohet kaos me çmime pot të bëhet një mbikëqyrje dhe një hulumtim i thellë , se në cilat shërbime dhe në cilët artikuj po ngritën çmimet që të mos ngritët pa të drejtë kostoja e jetesës së qytetarëve të Kosovës dhe as ajo e bashkatdhetarëve që vijnë për pushime në familjet e tyre”, tha Grapci për "Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)