Rrëfimi për bandat shqiptare në Angli: Nga brutaliteti në prostitucion deri te trafikimi me drogë

  • 08 July 2019 - 13:12
Rrëfimi për bandat shqiptare në Angli: Nga brutaliteti në prostitucion deri te trafikimi me drogë

Bandat shqiptare që po trafikojnë sasi të mëdha të kokainës drejtpërdrejt nga Evropa e kanë ndryshuar pamjen e tregut të drogës në Britaninë e Madhe.

Kjo drogë po shitet me çmimin më të lirë që nga vitet e nëntëdhjeta dhe është më e pastër se një dekadë më parë në kohën kur bandat shqiptare po i përdorin ligjet e shitjes për ta transportuar pothuajse pjesën më të madhe të kokainës në Britani, vlera e së cilës është rreth pesë miliardë funte.

Mijëra shqiptarë kanë shkuar në Britani të Madhe gjatë fundit të viteve të nëntëdhjeta dhe fillimit të shekullit të ri, në kohën e krizës së refugjatëve.

Në mesin e tyre kishte edhe shumë shqiptarë që deklaroheshin si kosovarë në atë që është përshkruar si “rasti më i madh i ndërrimit të shtetësisë” në historinë e re të imigrantëve në Britani të Madhe.

Në këtë grup përfshihet një grup i vogël dhe me përvojë i veteranëve të luftës, të cilët ishin të gatshëm të linin gjurmë në Britani.

Shumë prej tyre u punësuan si rojtarë në zemër të qendrës londineze të seksit dhe tregtisë, në Soho, e cila dikur ishte e dominuar nga mafia malteze. Ata e morën vëmendjen kombëtare për herë të parë pikërisht në këtë vend.

Shqiptarët filluan të punojnë bashkë me padronët e seksit, para se ta merrnin shpejt kontrollin mbi veprimtarinë e prostitucionit.

Për zyrtarët policor në terren, ishte aftësia e shqiptarëve për ta përdorur dhunën brutale, sidomos ndaj grave të trafikuara, ajo që e drodhi tregtinë e zezë të seksit.

Image

Paul Holmes, ish-inspektor policor dhe kryetar i njësitit kundër trafikimit në policinë e Londrës, tregon se si brutaliteti i shqiptarëve e ka tmerruar ekipin e tij të oficerëve.

Ai tha: “Shqiptarët të linin me gojë hapur për arsyen e përdorimit të atij niveli të dhunës ndaj grave, kur nuk kishin nevojë ta bënin një gjë të tillë. Ishte si lloj statusi ose tregim fuqie. Kishim raste kur gratë ishin të lënduara rëndë për asnjë arsye dhe në një mënyrë të çmendur”.

“Shumica e grupeve të organizuara kriminale që i fusin gratë në prostitucion përdorin dhunë që nuk shkakton lëndime të rënda, të cilat do të ndikonin në aftësinë e tyre për t’u shitur. Por shqiptarët i kanë rrahur në të gjitha pjesët e trupit. Ata ishin shumë, shumë të dhunshëm”, shtoi Holmes.

Më 1999, aplikuesit për azil që ishin në kuadër të Jugosllavisë (Serbi, Kosovë dhe Mal i Zi), përbënin 17 për qind të 91 mijë azilkërkuesve, ndërsa kjo shifër ishte tetë për qind në vitin 2000.

Tony Smith, ish-drejtor gjeneral i Forcës Kufitare të Britanisë së Madhe, shpjegon se si zyrtarët për migracion dyshonin se shqiptarët e Shqipërisë deklaroheshin si kosovarë gjatë kësaj periudhe.

Ai tha: “Ata ishin në shifra rekorde dhe shumë prej tyre ishin kosovarë, ose të paktën ashtu deklaroheshin. Nuk kishim kohë dhe as kompjuterë për t’i trajtuar ata si duhet. Ndoshta ky ishte rasti më i madh i ndërrimit të shtetësisë që kemi parë ndonjëherë, ky ishte fillimi”.

Kriminelët e dhunshëm, të cilët bënin tregti në bazë të reputacionit si veteranë të Luftërave të Ballkanit, shpejt u shndërruan nga trafikues të njerëzve në trafikues të armëve dhe drogës në Britani të Madhe.

Në Evropë, ata u bënë aleatë me bandat turke dhe italiane si dhe me vrasës e trafikues të heroinës nga Afganistani.

Më pas, ata filluan të merren me kanabis, duke ndërtuar kanale të forta të drogës, madje edhe duke e përdorur punën skllavëruese në Britani.

Përndryshe, Agjencia Kombëtare Kundër Krimeve në këtë shtet ka paralajmëruar se banditët shqiptarë paraqesin kërcënim të madh dhe se ata janë të shpejtë në përdorimin e dhunës, sidomos kur bëhet fjalë për tregti të drogës.

Dhjetëra trafikues shqiptarë të drogës janë arrestuar dhe burgosur në mbarë Britaninë viteve të fundit.

Shqiptarët tashmë përbëjnë grupin e dytë më të madh të të burgosurve të huaj në burgjet e Britanisë, pas polakëve.

Sipas burimeve të policisë, shqiptarët që po hyjnë ilegalisht në Britani të Madhe paraqesin fuqi të freskët punëtore për grupet e krimit.

Të njohur si “Mafia shqiptare”, grupet shumë besnike dhe hakmarrëse punëjnë në bazë të kodit tradicional – besës – për t’i mbajtur premtimet dhe “kanunit” – ligjit të vjetër për marrje të gjakut.

Këto banda kanë arritur që ta zbresin çmimin e kokainës deri në 5500 funte për kilogram përmes blerjeve të drejtpërdrejta nga Amerika Jugore, ndërsa shitësit e tjerë evropianë e shesin këtë drogë katër herë më shtrenjtë.

Shqiptarët tashmë i kanë vendosur anëtarët e tyre pranë disa prej porteve më të mëdha të Evropës, siç janë Roterdami dhe Antwerp-i. Kështu, ata i korruptojnë zyrtarët e portit dhe e kontrollojnë tregun e kokainës, shkruan “The Sun”.

(Kosova Sot Online)