Pazaret sekrete të Thaçit me Vuçiqin – Albin Kurti analizon letrën që Presidenti ia dërgoi Trumpit

  • 08 July 2019 - 15:31
Pazaret sekrete të Thaçit me Vuçiqin – Albin Kurti analizon letrën që Presidenti ia dërgoi Trumpit

Në janar të këtij viti, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i kishte dërguar një letër homologut të tij në SHBA, Donald Trump. Në atë letër Thaçi kishte shkruar se marrëveshja që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është shumë afër. E këtë letër të Thaçit e ka komentuar sot kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili e ka quajtur pazar sekret dhe projekt të dështuar.

Kurti ka shkruar në Facebook se kanë kaluar gjashtë muaj prej kur Thaçi e ka dërguar këtë letër dhe nuk mori përgjigje.

“Gjashtë muaj u bënë sot nga letra që ia dërgoi Presidentit Trump. Mirëpo Thaçi nuk mori përgjigje (paçka se aty shprehte edhe gatishmëri edhe vullnet për kompromiset e nevojshme). Si na paska qenë afër marrëveshja që zgjidh të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës e Serbisë?! Pse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi përmbajtjen e pozicioneve aq shumë të afruara me Serbinë? Çka qenka kjo gati-marrëveshje që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura për dallim nga 33 marrëveshjet e dialogut paraprak gjashtëvjeçar?”, shkruan Kurti.

Ai tutje thotë se ky është një Pazar sekret në mes të Thaçit e Vuçiqit.

“Pazar sekret, sigurisht. Mirëpo, edhe projekt i dështuar, gjithsesi”, thotë Kurti.

Kurti thekson se protesta “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” e cila është mbajtur në shtator të vitit 2018 dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për jokushtetutshmërinë e Ekipit Negociator dhe Presidentit për bisedimet, janë përgjigja e merituar.


(Kosova Sot Online)