Protesta e opozitës nis me një votim në qendër të Tiranës! Qytetarët votojnë “Rama ik” (Live nga vendi i ngjarjes)

  • 08 July 2019 - 20:46
Protesta e opozitës nis me një votim në qendër të Tiranës! Qytetarët votojnë “Rama ik” (Live nga vendi i ngjarjes)

Protesta e opozitës ka nisur tashmë me një simbolikë të qartë kundër zgjedhjeve të mbajura nga socialistët më 30 qershor. Dhjetëra protestues kanë ardhur sot në sheshin përballë kryeministri me fletë votimi të shkruara “Rama ik” dhe kanë “votuar” në një kuti të madhe votimit të vendosur në qendër të protestës.

Një simpatizant i demokratëve ka marrë me vete dy gomerë, të cilët i ka veshur me një “mantel” ku shkruhen mesazhe ironizues kundër Ramës. Në njërin prej tyre shkruhet PS 30 dhe Edi Rama, ndërsa në tjetrin “Spiropali”.

Ndërkohë sheshi përballë kryeministrisë ka nisur të mbushet me protestues. Në ballë të protestës është vendosur dhe një podium, ku pritet të flasë lideri i opozitës Lulzim Basha. Një tjetër detaj i cili është mësuar ka të bëjë me vetë kryedemokratin, i cili do të paraqitet në protestë së bashku me familjen e tij.

Disa orë më parë PD publikoi dhe shifrat e pjesëmarrjes. Ja sa persona kanë ardhur nga rrethet drejt Tiranës për të protestuar.

Kukësi 4600 protestues
Shkodra rreth 10 000 protestues
Dibra 5 500 protestues
Lezha 7800 protestues

Vlora 5800 protestues
Fier rreth 6 500 protestues
Gjirokastra 2800 protestues
Berati rreth 3000 protestues
Durrësi rreth 10 000 protestues
Elbasani 8 600 protestues
Korça afro 5 600 protestues.

(Kosova Sot Online)