Deklarata e fortë e Bashës: Përgatituni për ditën e gjykimit, do t’ju shtypim pa mëshirë!

  • 08 July 2019 - 21:42
Deklarata e fortë e Bashës: Përgatituni për ditën e gjykimit, do t’ju shtypim pa mëshirë!

Në protestën e 10 të opozitës, lideri i opozitës Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të fortë duke iu drejtuar fillimisht të gjithë atyre personave të përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve dhe në veçanti kriminelëve që kanë kontribuuar në këtë skemë.

Basha ka kërcënuar hapur duke thënë se dita e gjykimit do të vijë për të gjithë kriminelët dhe se ata do të shtypen pa mëshirë. Kryedemokrati ka premtuar se Shqipëria do të çlirohet nga barra e të fortëve në politikë, në rrugë, në media e në biznes.

Basha: Përgatituni për ditën e gjykimit, drejtësia ka vonuar por nuk do të mungojë. Kriminelëve u themi, ne do t’ju shtypim pa mëshirë dhe do e pastrojmë Shqipërinë nga barra juaj. Shqipëria do të jetë një vend i lirë pa krim dhe pa dhunë. Ne do t’i japim fund politikës së të fortëve, të fortëve të rrugës, të politikës, të medias, fund të fortëve të biznesit.

Basha gjithashtu deklaroi se nuk do të ketë asnjë zgjidhje politike me Ramën, derisa ai të largohet dhe në burg të shkojnë vjedhësit e zgjedhjeve.

Basha: Kriza duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet me parime, dhe jo me pazare. Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ata që e kanë sjellë vendin në këtë vend, ata që sollën krimin në politikë, ata që u korruptuan, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës.Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë: Nxjerrja e politikanëve të lidhur me krimin para drejtësisë së pavarur. Vetëm drejtësia përmes ligjit.

Dua ta deklaroj para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike. Ne do të bëjmë çdo përpjekje Do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë.


(Kosova Sot Online)