Vjen akuza e radhës ndaj Shpend Ahmetit: Ja pazari tij me oligarkët e bizneseve të pista

  • 09 July 2019 - 08:05
Vjen akuza e radhës ndaj Shpend Ahmetit: Ja pazari tij me oligarkët e bizneseve të pista

“Me këtë kryeneçësi, Shpend Ahmeti planifikon që edhe rrjetin e Kiosqeve nëpër kryeqytet ta bëjë pazar me oligarkët e inkriminuar të bizneseve të pista duke ndarë tallin me ta, për të krijuar mundësi përfitimi për vete dhe rrjetin kriminal rreth tij”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Florim Zeqa e ka akuzuar seriozisht komunën e Prishtinës dhe kryetari, Shpend Ahmeti se me kriteret e vendosura për dhënien në shfrytëzim të kiosqeve në kryeqytet, ku aplikuesit potencial që mundë ta fitojnë këtë të drejtë, duhet të deklarojnë qarkullimin në shumën prej 5 milion eurosh për tre vitet e fundit, është një kriter i dizajnuar krejtësisht për qëllime korruptive.

Image
Florim Zeqa

Kur e thotë këtë, Zeqa bazohet në informacionet që ka për kiosqet në vendet më të zhvilluara se Kosova, e ku shumat e tilla janë të pa imagjinueshme që të arrihet të realizohen.

“Edhe në metropolet e vendeve më të zhvilluara të botës, kiosqet nuk e arrijnë qarkullimin disa milionësh në vit, siç ua vuri kusht milioneri Shpend Ahmeti kiosqeve të vogla në kryeqytet, për ta fituar të drejtën e zhvillimit të veprimtarisë së tyre të ligjshme, ku aplikuesit e kiosqeve duhet të dëshmojnë qarkullimin në shumën prej 5 milion në tre vitet e fundit. Me veprimtari të ligjshme asnjëri prej aplikuesve nuk i plotëson kriteret e parashtruara nga kryetari aventurier i Prishtinës, për çka, për tre ditë rresht pronarët e kiosqeve në Prishtinë kanë protestuar para Kuvendit Komunal të Prishtinës, por kërkesat e tyre nuk janë marrë fare parasysh nga kryetari Shpend Ahmeti”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, mos ndryshimi i qëndrimit nga ana e kryetarit Ahemti, lë të nënkuptohet se qëllimi i fundit është kryekëput korruptiv dhe aspak nuk bëhet fjalë për kritere profesionale.

“Me këtë kryeneçësi, Shpend Ahmeti planifikon që edhe rrjetin e Kiosqeve nëpër kryeqytet ta bëjë pazar me oligarkët e inkriminuar të bizneseve të pista duke ndarë tallin me ta, për të krijuar mundësi përfitimi për vete dhe rrjetin kriminal rreth tij. Shihet qartë se Shpend Ahmeti për këto dy vite të mbetura të mandatit të dytë, ka planifikuar t'i shfrytëzon deri në fund në mënyrë kriminale e korruptive për tu pasuruar duke gënjyer e mashtruar qytetarët dhe duke abuzuar me pozitën e kryetarit në të gjitha mënyrat e mundshme, pasi ky do të jetë mandati i tij i fundit në krye të komunës por edhe në karrierën politike të korruptuar”, deklaroi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ai është i sigurt që po të kishte ndodhur kjo aferë në një shtet tjetër të së drejtës, hetuesi do të kishte vepruar me urgjencë, por kjo te ne nuk funksionon aspak sepse atë kriter të kërkuar nga Ahmeti mund të plotësojnë vetëm menaxherët e suksesshëm të krimit të organizuar.

“Janë projekte këto puro kriminale, në kurriz të qytetarëve, pa i pasur frikën ligjit dhe as sistemit të drejtësisë, për shkak se sistemi qeverisës në vend është tipik sistem kriminal, i cili favorizon bizneset kriminale dhe diskriminon e penalizon qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Pronarët e kiosqeve në Prishtinë, për të plotësuar kushtin e vënë nga kryetari Ahmeti, nuk e di se çka është dashur të shesin tjetër për të arritur shumën prej 5 milionëve, pos "kokainë" të vjedhur nga dhoma e dëshmive të stacionit policor vite më parë në Prishtinë”, përfundoi analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)