Për një ditë dy viktima e 14 persona të lënduar

  • 09 July 2019 - 11:09
Për një ditë dy viktima e 14 persona të lënduar

Dy persona kanë ndërruar jetë ditën e hënë si pasojë e aksidenteve. Njëri prej tyre ishte duke u trajtuar në QKUK që nga e hëna e javës së kaluar dhe nuk ka mundur t’u bëjë ballë plagëve të marra. Viktima tjetër është aksidentuar këtë të hënë në magjistralen Prishtinë-Ferizaj. 

Një aksident trafiku që ka ndodhur para një jave i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse një personi nga Vitia. Viktima ka qenë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe nuk ka mundur t’u bëjë ballë plagëve të marra në aksident.

Policia bën të ditur se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në magjistralen Prishtinë-Ferizaj këtë të hënë ka ndodhur një aksident trafiku në mes dy veturave dhe një kamioni.

Si pasojë e këtij aksidenti një person ka ndërruar jetë, ndërkaq kanë mbetur të lënduar tre të tjerë të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Përgjatë ditës së hënë, në vend kanë ndodhur 42 aksidente trafiku, ku 14 kanë qenë me persona të lënduar dhe 28 pa të lënduar. Policia rrugore ka shqiptuar 1 mijë e 317 tiketa për kundërvajtje në trafik.

(Kosova Sot Online )