Meta s’e përfill vendimin e Ramës shkon në Sarajevë – Bosnja ta kuptojë se Kosova është e pavarur

  • 09 July 2019 - 12:06
Meta s’e përfill vendimin e Ramës shkon në Sarajevë – Bosnja ta kuptojë se Kosova është e pavarur

Presidenti i Shqipërisë, Ilira Meta, nuk e ka përfillur vendimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të mos marrë pjesë në Samitin e organizuar nga Bosnja, dhe ka udhëtuar drejtë Sarajevës.

Në Samitin e për Bashkëpunim të vendeve të Evropës Juglindore, Meta i ka bërë thirrje Bosnje e Hercegovinës që të bëjë hapa para për të pranuar realitetin e Kosovës shtet të pavarur.

Meta ka thënë se Kosova është detyruar që të mos marrë pjesë në një organizim të tillë, pasi që në thirrjet që janë dërguar nuk është trajtuar si shtet i pavarur, duke drejtuar kështu kritika drejt vendeve pjesëmarrëse.

“Si mund të pretendojmë për bashkëpunim të suksesshëm rajonal, kur disa përfaqësues që janë pjesëmarrës në Samit, punojnë për të përjashtuar disa shtete nga përfitimet e këtyre iniciativave rajonale”, ka thënë Meta.

Kreu i Shqipërisë i ka bërë thirrje Bosnje e Hercegovinës që të avancojë me qëndrimin e saj, dhe ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

‘Tani është koha e duhur që Bosnja e Hercegovina të bëj edhe një hap para për ta pranuar realitetin që Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran. Respektimi i fqinjëve është thelbësor për vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Meta, shkruan B92.

Sipas Metës këto organizime rajonale e forcojnë dialogun e brendshëm mes vendeve të rajonit dhe se po kontribuojnë edhe në gjendjen e përgjithshme të sigurisë, duke përmendur këtu arritjen e marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë Veriore për emrin. 

Ai thotë se një marrëveshje e tillë ka qenë një përparim i madh për stabilitetin e rajonit.

Për presidentin e Shqipërisë zgjidhja e problemeve bilaterale është një gjë shumë e rëndësishme për rrugën drejt integrimeve evropiane, duke thënë se ka nevojë për reforma në vendet e rajonit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur që në shenjë solidarizimi me Kosovën, të mos marrë pjesë në këtë Samit të Organizuar në Bosnje.

(Kosova Sot Online)