Meta çmend Bosnjën dhe Serbinë duke folur për Kosovën në Sarajevë

  • 09 July 2019 - 14:11
Meta çmend Bosnjën dhe Serbinë duke folur për Kosovën në Sarajevë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve të vendeve të Evropës Juglindore.

Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta, duke shprehur keqardhjen që kryesuesja e radhës së këtij procesi, Republika e Kosovës, nuk është e pranishme në këtë Samit vuri në dukje se,  “Tashmë është koha e duhur që Bosnja dhe Hercegovina, e jo vetëm, të bëjnë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të realitetit. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.”

“Më lejoni të përgëzoj Kosovën për marrjen e Kryesisë së saj dhe t’i suksese gjatë mandatit në këtë detyrë. Kam besim se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Trojkën e SEECP-së, do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, forcimit të dialogut politik si dhe përmirësimit të situatës së përgjithshme të sigurisë në rajon”, tha Meta. 

“Falë zgjerimit të NATO-s dhe integrimit në BE-së, rajoni mbetet i bashkëngjitur fort në arkitekturën më të suksesshme të sigurisë që ka njohur ndonjëherë Europa. Mund të thuhet pa frikë se kurrë më parë rajoni nuk ishte ka qenë më i qëndrueshëm dhe më i sigurt. Të marrin për shembull hyrjen në fuqi së fundmi të marrëveshjes midis Shkupit dhe Athinës. Duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë e të vështirë dypalëshe, kjo marrëveshje shënon një hap të madh përpara në përparimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ky është me të vërtetë një lajm i mirë”, u shpreh Meta.

Megjithatë,  shtoi ai, “një numër sfidash dypalëshe dhe rajonale ende mbeten në rrugën drejt integrimit të vazhdueshëm rajonal dhe atij për në Bashkimin Europian. Në këtë këndvështrim dua të shpreh keqardhjen për faktin se Republika e Kosovës, Kryesuesja jonë e ardhshëm, u detyrua të mos marrë pjesë në këtë Samit. Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura, etj. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj”.

“Shqipëria është e vetëdijshme se ka ende një punë të vështirë për të bërë që të përmbushë kriteret dhe standardet e nevojshme. Ne duhet të japim rezultate të prekshme, duke u përqendruar në reformat që forcojnë institucionet shtetërore, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si dhe krimit të organizuar. Mbetemi të përkushtuar dhe me shpresë se Këshilli i BE-së do të vendosë në tetor për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë fqinje. I jemi mirënjohës vizionit të Kancelares Merkel, që u përsërit edhe në Samitin e fundit të Poznanit, që dhënia e mundësisë vendeve të Ballkanit për t’i bashkëngjitur BE-së është në interesin strategjik të të bllokut komunitar europian”, tha Meta.

(Kosova Sot Online)