FSK s’ia lëshon vendin Kampusit Universitar, edhe pse komuna ia ofron 50 hektarë për kazermë në Zhegoc

  • 09 July 2019 - 15:41
FSK s’ia lëshon vendin Kampusit Universitar, edhe pse komuna ia ofron 50 hektarë për kazermë në Zhegoc

Në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës në vitin 2017, është aprovuar kërkesa për sigurimin e parcelës për ndërtimin e Kampusit për Universitetin “Kadri Zeka” në sipërfaqe 7.30 HA aty ku aktualisht ndodhet kazerma e FSK-së në Gjilan. Por,  në Universitetin “Kadri Zeka” jozyrtarisht thonë se FSK ka kërkuar që kjo çështje të prolongohet deri sa të bëhet një zgjidhje për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Komuna ndërkaq ia ka ofruar 50 hektarë FSK’së për kazermë në Zhegoc, por as kjo s’ka sjellë zgjidhje. Ministria e Mbrojtjes dhe Komuna e Gjilanit ende nuk janë dakorduar për parcelën 7 hektarëshe që është ndarë me një vendim të Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e Kampusit Universitar “Kadri Zeka” në Gjilan e cila ishte kundërshtuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tash Ministria e Mbrojtjes. Në këtë parcelë, është kazerma e FSK-së që ka të vendosur batalionin e parë të brigadës së reagimit të shpejtë.

Gazeta Express ka kontaktuar Ministrinë e Mbrojtjes , të cilët në një përgjigje të shkurtë kanë thënë se nuk ka asnjë ndryshim rreth kësaj çështje.

“Për këtë çështje nuk ka asnjë ndryshim. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK vazhdojnë me investimet e planifikuara në infrastrukturë në  kazermën e  FSK-së në Gjilan”.

Kampusi Universitar i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, është i vendosur te kompleksi i shkollave të mesme dhe si rrjedhojë nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Zyrtarë të Universitetit “Kadri Zeka” u shprehën se në përputhje me Planin Rregullues Urban të qytetit edhe është miratuar kërkesa për sigurimin e parcelës nga Qeveria e Kosovës në dhjetor 2017.

“Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri  Ramush Haradinaj, në  dhjetor të 2017,  pas shqyrtimit të kërkesës për sigurimin e parcelës për ndërtimin e Kampusit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në përputhje me Planin Rregullues Urban të miratuar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit në vitin 2013, ka miratuar  vendimin për ndarjen e parcelës për ndërtimin e Kampusit të Universitetit  Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Sipas vendimit hapësira është 7.20 ha”.

Nga Universiteti thanë se zyrtarisht nuk e dinë se kur do të fillojë një gjë e tillë.

Por jo zyrtarisht ata u shprehën se FSK ka kërkuar që kjo çështje të shtyhet edhe më tej.

“Megjithëse, jo zyrtarisht kemi kuptuar se FSK ka kërkuar që kjo çështje të prolongohet derisa të bëhet një zgjidhje e përshtatshme për vetë Forcën e Sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Nga Komuna e Gjilanit deklaruan se Kryetari i Komunës Lutfi Haziri ka pasur 5 takime deri më tani me Ministrin e Mbrojtjes Rrustem Berisha rreth kësaj çështje.

Komuna e Gjilanit tha  se tashmë ekziston vendimi i Qeverisë për ndarjen e 7.2 hektarëve tokë dhe duhet të zbatohet si i tillë.

“Ka një vendim qeveritar për kazermën. Sipas vendimit të Kuvendit Komunal për ndarjen e 7.2 hektarëve tokë për Kampusin Universitar “Kadri Zeka”, si institucion publik në Gjilan, tashmë ekziston vendimi i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe duhet të zbatohet si i tillë”.

Zyrtarë të Komunës thanë se ekziston një grup i përbashkët punues në mes të Ministrisë dhe Komunës së Gjilanit, i cili duhet ta zbaton në përpikëri, por, po vërehet një lloj neglizhence në zbatim nga ana e qeverisë.

Sipas Komunës së Gjilanit ekziston një plan i komunës që në këtë parcelë të vazhdoj bashkekzistenca mes Ushtrisë së Kosovës dhe Universitetit për një periudhë dy vjeçare deri në ndërtimin e kazermës së re.

“Opsioni i Komunës është që në zonën e lirë, në pronën që është vendos tash, të lejohet fillimi i ndërtimit të Kampusit “Kadri Zeka”, dhe njëkohësisht të vazhdoj bashkekzistenca e ndarë me zonë të sigurisë me pronë edhe e Ushtrisë së Kosovës, respektivisht Batalionit për ndërhyrje të Shpejtë, sepse rëndësia e këtij batalioni është e veçantë në krahasim me strukturat tjera ushtarake. E në ndërkohë, në një proces tranzicioni, le të themi disa vjeçar, për dy vitet e ardhshme, ose edhe më shumë, mund të planifikohet hyrja dhe dalja, në mënyrë që ushtria të dalë në kazermën e re”.

Komuna e Gjilanit u shprehën se kanë ofruar 50 hektarë për ndërtimin e kazermës së re në Zhegoc.

“Komuna e Gjilanit ka ofruar 50 hektarë tokë në Zhegoc, por edhe Komuna e Kamenicës e ka bërë një ofertë të tillë për ndërtimin e kazermës së re. Kështu që varet krejt nga organet tjera”.

(Kosova Sot Online )

Image