Thaçi: Kriminelët që vranë Vëllezërit Bytyqi vazhdojnë të shëtisin të lirë në Beograd

  • 09 July 2019 - 15:53
Thaçi: Kriminelët që vranë Vëllezërit Bytyqi vazhdojnë të shëtisin të lirë në Beograd

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, duke deklaruar se ata që qëndrojnë prapa këtij krimi ende vazhdojnë të jetojnë të lirë në Beograd. Përmes një shkrimi në Facebook, presidenti ka shkruar se drejtësia ka dështuar të ndëshkojë krimet serbe në Kosovë, derisa ka përmendur krimet që kanë kryer serbët ndaj shqiptarëve.

“Kriminelët serbë që i kryen këto krime, që bënë spastrim etnik, duke i larguar prej shtëpive të tyre mbi 1 milion shqiptarë, që kryen gjenocid mbi popullsinë e Kosovës, vazhdojnë të sillen lirshëm dhe janë tërësisht të amnistuar nga drejtësia ndërkombëtare. Kosova, qytetarët tanë, kërkojnë drejtësi. Heshtja ndërkombëtare përballë këtyre krimeve nuk është në shërbim të drejtësisë dhe paqes, por në shërbim të kriminelëve!”, deklaroi presidenti.

(Kosova Sot Online )