Ministri britanik i reagon Trumpit: Ai tregoi mungesë respekti për Britaninë dhe kryeministren tonë

  • 10 July 2019 - 09:04
Ministri britanik i reagon Trumpit: Ai tregoi mungesë respekti për Britaninë dhe kryeministren tonë

Ministri i jashtëm britanik, Jeremy Hunt, ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka treguar mungesë respekti ndaj kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May, dhe vetë Mbretërisë së Bashkuar. Komentet e tij erdhën pasi presidenti amerikan e quajti “djalosh shumë budalla” ambasadorin britanik në Shtetet e Bashkuara për shkak të një skandali të publikimit të disa dërgesave elektronike.

Presidenti Trump shkoi edhe më larg, duke e kritikuar kryeministren britanike, Theresa May, dhe duke thënë se ajo i ka injoruar këshillat e tij dhe e ka ndjekur rrugën e saj budallaqe.

Reagimi i tij kishte ardhur pasi në dërgesat elektronike u zbulua që ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Kim Darroch, e kishte cilësuar Trumpin si njeri torollak dhe të ngathët.

Në ndërkohë, takimi i sekretarit britanik për tregti ndërkombëtare, Liam Fox, me sekretarin amerikan për tregti, Wilbur Ross, është anuluar të martën për shkak të tensionimit të marrëdhënieve mes zyrtarëve amerikanë dhe britanikë.

Hunt shkroi në “Twitter”: “Miqtë flasin në mënyrë të hapur dhe kështu do të bëj edhe unë. Këto komente janë mungesë respekti dhe të gabuara për kryeministrën tonë dhe vendin tim”.

Ai gjithashtu tha se nuk do ta shkarkojë ambasadorin britanik në Shtetet e Bashkuara deri në mbarimin e mandatit të tij në dhjetor të këtij viti, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online )