Vetëvendosje kërkon largimin e Thaçit nga presidenca, pasi Zaev zbuloi detaje për ndarjen e Kosovës

  • 10 korrik 2019 - 12:47
Vetëvendosje kërkon largimin e Thaçit nga presidenca, pasi Zaev zbuloi detaje për ndarjen e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në një konferencë për medie ka hedhur kritika të ashpra në drejtim të presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Këto kritika Selimi i ka dhënë me rastin e publikimit të disa bisedave mes dy komedianëve rusë të paraqitur si zyrtarë të Ukrainës dhe NATO-s dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev biseda në të cilat flitet për planin rus për ndarjen e territorit të Kosovës.

“Me qindra herë e kemi paralajmëruar planin e Thaçit dhe Vuciqit. Kemi thënë se ekzistojnë ato plane të cilat janë të fshehta nga shqiptarët dhe nga opinioni. Kemi thënë se të gjitha marrëveshjet me Serbinë po vazhdojnë të jenë të fshehta dhe njëkohësisht kundër interesit të qytetarëve të Kosovës. Përveç kësaj edhe faktori ndërkombëtarë dhe aleatët tanë strategjik, kanë shprehur shqetësimin për ndikimin rus në rajon dhe Kosovë. Tash pse u dashka që të dalin incizime të fshehta që ne ta kujtojmë të vërtetën se çfarë po ndodh për ne”, tha Selimi.

“Dje në mediat maqedonase dhe në Kosovë e më gjerë, u ndriçua një bisedë e kryeministrit Zaev me dy komedinë rusë. Kjo ndoshta ka të bëj pak a shumë me aspekte komike sikur mos të ishte përmbajtja shumë shqetësuese e temës që ai po pretendonte se po fliste me presidentin ukrainas. Këto biseda që janë bërë në fillim të vitit 2019, Zaev shprehë shqetësimin e drejtpërdrejt përmes planit për ndryshimit të kufijve po vepron sipas Moskës. Paramendojeni kryeministri i Maqedonisë, shprehet i shqetësuar për fatin e Kosovës”, tha ndër të tjera ai. 

Tutje, Selimi shtoi se është shqetësues edhe fakti sesi kryeministri maqedonas është kaq shumë i informuar për një plan të Rusisë për ndarjen e territorit të vendit.

“Kryeministri Zaev shprehet si i informuar mirë me këto plane që kanë të bëjnë me ndarjen e Kosovës. Madje një gjë të tillë e dëshmon vetë deklarata e Thaçit në atë kohë për këtë çështje. Pra Zaev ka qenë i informuar edhe nga dora e parë për këtë. Janë dhjetëra dëme nga Thaçi ndaj Kosovës. Por ato që po dëgjojmë nga Zaev janë shqetësuese edhe për aleatët tanë strategjik për planet e Thaçit dhe Vuciqit si realizim i planeve ruse në rajon”, tha ai.

E për këtë, Selimi ka kërkuar edhe zgjedhje të jashtëzakonshme, për siç tha ai, largimin e Thaçit nga pozita e tij.

“Ky njeri i shantazhuar me dosje të reja e të vjetra nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në bisedime me Serbinë. Si i shantazhuar nga Serbia, ai po vepron në interes të Serbisë edhe nëse eventualisht nëse nuk e dëshiron një gjë të tillë. Ju bëjmë thirrje forcave politike që të shkojmë sa më parë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe ta largojmë këtë person nga kjo pozitë. E gjithë kjo vjen kur në vend kemi një qeveri të korruptuar. Ne e dimë që Thaçi nuk jep dorëheqje as kur kapet nga skandalet e as kur kapet si shkelës i kushtetutës”, ka thënë Selimi.

(Kosova Sot Online)