A do të jetë i paanshëm, dialogu Kosovë -Serbi test për Borrellin luftarak

  • 10 July 2019 - 17:33
A do të jetë i paanshëm, dialogu Kosovë -Serbi test për Borrellin luftarak

Gazeta prestigjioze britaneze Financial Times ia ka bërë një portret ministrit të Jashtëm të Spanjës, Josep Borell, i cili pritet që të emërohet në krye të diplomacisë evropiane.

Derisa e cilësojnë si një politikanë me përvojë dhe luftarak, FT ka listuar edhe pese sfidat kryesore që e presin atë pasi të marrë postin e ri.

Një nga sfidat kryesore pritet të jetë ndërmjetësimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi që siç shkruan gazeta britaneze, tensionet ndërmjet dy vendeve po rriten në vazhdimësi.

Ndërkohë ajo që po diskutohet jashtëzakonisht shumë, është neutraliteti që do të tregojë Borell gjatë ndërmjetësimit të dialogut Prishtinë-Beograd, pasi prejardhja e tij spanjolle po shihet si një pikë ku ai mund të humbasë paanshmërinë, për faktin se Spanja është një nga shtetet e BE-së që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

“Borrell do të përballet me një sfidë të veçantë sa i përket Kosovës, ku ai do të jetë përgjegjës për ndërmjetësimin e marrëdhënieve gjithnjë e më të vështira mes ish provincës serbe të shkëputur  me Beogradin”, thuhet në këtë shkrim të FT.

Fakti që Spanja vazhdon të jetë një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njeh Kosovën sipas FT ngre shumë pikëpyetje rreth aftësive të Borell për të qenë neutral në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shtuar këtu edhe kundërshtimin që Borell ia ka bërë iniciativave të separatistëve për pavarësinë e Katalunisë.

“Qëndrimi ti tij si ministër i Jashtëm i Spanjës është përcaktuar në masë të madhe nga kundërshtimi i tij ndaj presionit të seperatistëve të Katalunisë për pavarësi, ku edhe ai u rrit. Kjo ka ngritur një serë pikëpyetjesh rreth aftësisë së tij për t’u parë si një ndërmjetës neutral, veçanërisht kur Spanja është një nga pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën si vend të pavarur”, potencon FT.

Megjithatë mbështetësit e Borell thonë që ai do të mund të kthejë prejardhjen e tij prej katalunasi në favor të tij, pasi që të dy palët (Kosova dhe Serbia), për arsye të ndryshme do të përpiqen që të krijon afërsi me të.

Ndërkohë si pika të nxehta me të cilat do të testohet Borell, FT e sheh edhe situatën në Iran, Venezuelë, Kinë dhe raportet e BE-së me SHBA-në, përkatësisht presidentin e Donald Trump.

Diplomati 72 vjeçar pritet që të zëvendësojë Federica Mogherinin në postin e kryenegociatores.

(Kosova Sot Online)