Një muaj paraburgim pasi u kap me marihuanë

  • 11 July 2019 - 15:04
Një muaj paraburgim pasi u kap me marihuanë

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit B. M.

Me datë 9 korrik 2019, gjatë një kontrolli nga oficerët policor në rrugën e fshatit Rogoqicë, në drejtim të pikës kufitare Breznicë, tek i pandehuri është gjetur një sasi prej 1.034 gramë substanca narkotike e llojit “marihuanë”, në veturën të cilën ishte duke e drejtuar.

Me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, duke pasur parasysh që i pandehuri në fjalë ka një të kaluar kriminale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

(Kosova Sot Online)