Prokuroria kërkon paraburgim ndaj dy të dyshuarve se vodhën 15 pula dhe dy gjela

  • 11 July 2019 - 15:14
Prokuroria kërkon paraburgim ndaj dy të dyshuarve se vodhën 15 pula dhe dy gjela

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar tu caktohet masa e paraburgimit të dyshuarve për vjedhje të rëndë, M.R dhe Rr.N.

Kjo kërkesë e prokurorisë është shqyrtuar të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Ata dyshohen se më 19 qershor 2019, rreth orës 2:00, në rrugën e Ferizajt “Idriz Seferi”, në Gjilan, në oborrin e të dëmtuarit Mentor Rashiti, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë kryer vjedhje të rëndë në bashkëveprim, duke marrë 15 pula dhe dy gjela, dhe të njëjtit largohen nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë të përgjithshme mbi 500 euro.

Prokurori Esat Ademi, gjatë leximit të kërkesës, deklaroi se pas vlerësimit të fakteve dhe shkresave që janë bashkëngjitur, dëshminë mbi konfiskimin e gjësendeve – objektit të veprës penale, si dhe fotodokumentacioni nga shkresat e lëndës, ndaj të dyshuarve sipas tij, duhet të caktohet masa e paraburgimit, pasi që siç ka thënë ai ekziston dyshimi i bazuar se ata kanë kryer veprën penale, dhe se masat tjera më të buta ndaj tyre do të ishin të pamjaftueshme, në mbarëvajtjen e procedurës penale në vazhdim.

Ndërkaq, mbrojtësi i të dyshuarit M.R, avokati Granit Syla, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke  thënë se vet fakti se klienti i tij sa i përket dyshimit të bazuar lidhur me veprën penale vjedhja e rëndë, nuk ka qenë i përfshirë në asnjë moment, duke pasur parasysh faktin se sipas tij, ai ushtron profesionin e taksistit, dhe pas kërkesës nga i dyshuari tjetër, i njëjti e ka kryer shërbimin e transportit dhe e ka dërguar atë deri në shtëpinë  e tij në fshatin Përlepnicë.

Po ashtu, ai tha se e kundërshtojnë vlerën e cekur në kërkesë, pasi që dëmi material, sipas tij, duke pas parasysh tregun e shpezëve, nuk e kalon shumën e 200 eurove, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është mbajtës i familjes, ku jeton me gruan dhe katër fëmijë, dhe ekzistencën e siguron nga puna e tij si taksist, mendojmë se me caktimin e paraburgimit do të kishte pasoja të rënda për vet të pandehurin dhe familjen e tij, andaj propozoj që i njëjti të mbrohet në liri, e po që se gjykata vlerëson se duhet të caktohet ndonjë masë atëherë, propozojmë masën e paraqitjes në stacionin policor, me të cilën masë me siguri do të kishte një zhvillim normal të procedurës normale”, shtoi avokati Syla.

Edhe mbrojtësi tjetër i të dyshuarit Rr.N, avokati Hajredin Leka, e kundërshtoi kërkesën për caktimin e paraburgimit.

“Për sa i përket ekzistimit të dyshuar, ky pretendim nuk kontestohet, mirëpo në cilësinë  e mbrojtësit, konsideroj se në rastin konkret nuk plotësohen kushtet ligjore, nga dispozita pasuese e KPP-së për sa i përket shqiptimit të ndonjë mase të sigurisë, ngase vepra për të cilën dyshohet, nuk është e asaj peshe, natyre, dhe as të vlerës që të njëjtit t’i shqiptohet masa më e rëndë ligjore, ajo e paraburgimit, dhe kjo sepse pranimi i vullnetshëm i fajësisë nga klienti im, dhe gatishmëria e tij që të ballafaqohet me pasojat ligjore, e bëjnë të paefektshme pretendimin se po që se të njëjtit nuk i caktohet kjo masë, i njëjti do të mund ta përsëriste veprën e njëjtë apo të ngjashme”, tha avokati Leka.

Ai i propozoi gjykatës që ta refuzojë në tërësi si të pabazuar kërkesën e prokurorisë, dhe klientit të tij t’i mundësohet mbrojtja në liri.

Gjykatësi i procedurës paraprake Rilind Sermaxhaj, njoftoi palët se aktvendimi për këtë rast do të merret brenda afatit të arsyeshëm ligjor.

Ndryshe, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ushtruar më 21 qershor 2019, të dyshuarit M.R dhe Rr.N dyshohen se më 19 qershor 2019, rreth orës 2:00, në rrugën e Ferizajt “Idriz Seferi”, në Gjilan, në oborrin e të dëmtuarit Mentor Rashiti, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë kryer vjedhje të rëndë në bashkëveprim.

Bazuar në kërkesën e prokurorisë, të dyshuarit fillimisht kanë dëmtuar-prerë telin e rrethojës së oborrit të të dëmtuarit, dhe nga brendia e të njëjtit kanë marrë 15 pula dhe dy gjela, të racës “amrok” dhe “astrollop’, dhe të njëjtit largohen nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë të përgjithshme mbi 500 euro.

Me këtë, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 315, paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). 


(Kosova Sot Online)