9 mijë qytetarë e nënshkruajnë peticionin kundër monopolit të homologimit të veturave

  • 11 korrik 2019 - 16:14
9 mijë qytetarë e nënshkruajnë peticionin kundër monopolit të homologimit të veturave

Rreth 9 mijë qytetarë kanë nënshkruar deri tani peticionin përmes të cilit synohet që t’i jepet fund monopolist të Devollëve në homologim dhe obligimit në tërësi. “Liberalizim” të këtij tregu kanë kërkuar së fundi edhe ambasadori gjerman, Oda Amerikane dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë. Për këtë punë ka debatuar edhe Kuvendi duke e miratuar një rezolutë. Ndërkohë, Ministri Pal Lekaj ka thënë se do ta shqyrtojnë heqjen e monopolit të homologimit por brenda 6 muajsh.

Para dy javësh, qytetarë nga i gjithë vendi kanë filluar nënshkrimin e një peticioni online lidhur me procesin e homologimit të veturave. Nisma për këtë peticion ka qenë e ekonomistit Hekuran Murati, derisa përmes tij po kërkohet që t’i jepet fund obligimit për homologim. Deri tani peticioni është nënshkruar nga rreth 10 mijë qytetarë. Për nisma legjislative, sipas Kushtetutës së Kosovës, nevojiten 10 mijë nënshkrime.

 “Nuk ka nevojë që 99% e qytetarëve të paguajnë kot, për shkak se 1%-shi tjetër importon vetura të pastandardizuara. Prandaj rruga e duhur është që obligimi ligjor për homologim të hiqet në tërësi. Për këtë nevojitet që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë Ligjin për Automjete. Është koha që deputetët të tregojnë se a janë me të vërtetë përfaqësues të popullit apo marioneta të oligarkëve”, thuhet në peticion.

Ndërkohë, para më shumë se një jave, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutë për ndalimin e monopolit në homologim.

Sipas kësaj rezolutës ndër të tjera kërkohet ndërprerja e udhëzimit administrativ të vitit 2018 për homologimin e automjeteve, dhe që brenda gjashtë muajve prej miratimit të kësaj rezolute të liberalizohet tregu i homologimit.

Pas miratimit të kësaj rezolute dhe presionit të ndërkombëtarëve, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i ka thënë medias  se do të fillojnë me shqyrtimin e mundësive të ndryshimit të ligjit të automjeteve.

 “Ne jemi për respektim të vullnetit të deputetëve dhe do të fillojmë shqyrtimin e mundësive të ndryshimit të ligjit të automjeteve. Unë kam shprehur vullnetin e mos lejimit të monopolit, por respektojmë ligjin”, ka thënë Lekaj.

Më pas Lekaj në një deklarim tjetër ka thënë se për këto ndryshime duhen 6 muaj.

Ndryshe, kundër monopolit të Devollëve në homologim janë shprehur edhe ambasadori gjerman në Kosovë dhe Oda Amerikane.

Ambasadori gjerman, Christian Heldt ka thënë se nuk e kupton se si veturat që vijnë me të gjitha dokumentet dhe kontrollat e nevojshme, duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli tjetër nga kompania private, që në këtë rast është e Devollit.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provojë të kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE-në??”, ka shkruar Heldt në Tëitter.

Edhe Oda Amerikane ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve nga Devollët, duke thënë se kjo pengon konkurrencën, promovon praktikat e padrejta të ofrimit të shërbimeve dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve.

“Të pasurit e një operatori të vetëm të homologimit pengon konkurrencën e lirë, e rrjedhimisht edhe efikasitetin që do të rezultonte nga ofrimi i shërbimit nga më shumë operatorë, si në aspekt të shmangies së çmimeve të larta, por edhe të rritjes së disponueshmërisë së shërbimeve të diversifikuara për publikun. Sistemi aktual i homologimit të automjeteve pengon lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila ka për efekt ndëshkimin e konsumatorëve me shpenzime shtesë logjistike nga marrja e shërbimit në një lokacion të vetëm”, thuhet në komunikatën e tyre drejtuar mediave.

Një reagim të njëjtë e ka pasur edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ndryshe, çdo makinë e importuar në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një kontrolli rutinor i quajtur “homologim”. Ky lloj kontrolli bëhet vetëm për t’i inkasuar 125 euro.

Pra, secili qytetar apo kompani që blen vetura, detyrohet t’i nënshtrohet homologimit në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), e cila është pronë e Shkëlqim Devollit nga Peja.

(Kosova Sot Online)