Komandanti Macaraeg: Bondsteeli nuk lëviz, kjo është shpjeguar tashmë

  • 11 July 2019 - 17:01
Komandanti Macaraeg: Bondsteeli nuk lëviz, kjo është shpjeguar tashmë

Situata e sigurisë në Kosovë është e mirë, dhe nuk ka tensione në terren thotë komandanti i kampit Bondsteel, Roy J.Macaraeg për European Western Balkans.

Në maj, Serbia vuri trupat e saj në nivel të lartë sigurie për arsye të aksionit nga Policia e Kosovës në veri. Pasi tensionet u rritën, KFOR-i konfirmoi se operacioni i Policisë së Kosovës ishte i shtrirë në të gjithë vendin nën urdhrat e prokurorëve në Prishtinë, duke shtuar se operacioni ishte pjesë e luftës kundër krimit. Megjithatë, qëndrimi i KFOR-it theu raportet në mes tyre dhe autoriteteve serbe të cilëve nuk iu pëlqeu përgjigja rreth situatës.

Por, KFOR-i tha se Policia e Kosovës bëri një punë mjaft të mirë në përgjigje të situatës. KFOR-i së fundi festoi 20-vjetorin e saj, Koloneli Roy J.Macaraeg, komandant i Batalionit multietnik të lindjes me zyret qëndrore në kampin Bondsteel, tha se prezenca e KFOR-it për këto 20 vjet ishte dhe do të jetë e rëndësishme dhe kyqe për të garantuar sigurinë e cila sipas tij është një kusht i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Prezenca e KFOR-it është monitoruese që do të thotë se do të qëndrojë deri sa situata ta kërkojë, Nuk ka ndonjë datë fikse për misionin dhe NATO tani për tani nuk ka plan të zvogëlojë ose të tërheqë atë” tha Macaraeg.

Kur foli për tensionet në Kosovë lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd ai tha se tensionet serioze nuk ekzistojnë.

“KFOR-i është një mision ushtarak, i përkushtuar për të garantuar mbrojtje dhe siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë. Nga perspektiva ushtarake, kushtet e sigurisë janë të mira, dhe nuk shihen tensione serioze në terren. KFOR-i garanton sigurinë kështu që niveli politik mund të vazhdojë dialogun e tyre me qëllimin për të gjetur një zgjidhje” theksoi Macaraeg.

Komandanti i Komandës së forcave të përbashkëta aleate në Napoli, Admirali Foggo, së fundi bëri me dije se bashkëpunimi i të gjitha palëve në të dy anët e kufirit është e mirë dhe Koloneli Macaraeg po ashtu tha se bashkëpunimi mes KFOR-it dhe Ushtrinë Serbe është i mrekullueshëm.

“Takohem me homologun tim çdo tre muaj dhe bisedojmë në telefon sipas nevojës si dhe Ekipi im i Komisionit të Përbashkët të Implementimit punon me ta çdo javë. Ne zhvillojmë patrullime të përbashkëta me Forcat e Ushtrisë Serbe. Që kur kam marrë komandën në mesin e nëntorin, ne kemi zhvilluar rreth 200 patrullime me Forcat e Ushtrisë Serbe” tha Macaraeg.

Kur u pyet se a ka hapësirë për përmirësim kur vie te situata e sigurisë së serbëve në Kosovë dhe shkalla e ulët e kthimit të tyre, Macaraeg theksoi se siguria e përgjithshme është e mirë.

“KFOR-i garanton se mbrojtja është e siguruar për të gjithë njerëzit në Kosovë, duke përfshirë edhe serbët. Mungesa e kthimit nuk varet vetë në sigurinë, por gjithashtu edhe rezultatin e kombinimit të politikës me zgjedhjet personale” nënvizoi Macaraeg.

Duke komentuar qëndrimet e bëra nga Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëra në mars të këtij viti se nëse nuk i heqin tarifat e mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ShBA-ja mund të tërheqë trupat e saj nga kampi Bondsteel, ai tha se kjo çështje është shpjeguar qartë nga ambasada e ShBA-së dhe nuk ka shenja apo plan që kjo të ndodhë. 

(Kosova Sot Online )