Ministria që udhëheqet nga Dhurata Hoxha, fsheh përse Kadri Veseli gjendet në kontratën e dyshimtë amerikane

  • 11 July 2019 - 22:13
Ministria që udhëheqet nga Dhurata Hoxha, fsheh përse Kadri Veseli gjendet në kontratën e dyshimtë amerikane

Ministria e Integrimeve Evropiane, ka reaguar pas publikimit të hulumtimit nga mediat lidhur me kontratën e dyshimtë mes kësaj ministrie dhe kompanisë amerikane “Madison Global Strategies LLC”.

Por pavarësisht se ka reaguar lidhur me kontratën që do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, 152 mijë euro, kjo ministri nuk ka treguar përse emri i Kadri Veselit gjendet aty. Sipas kësaj marrëveshje Veseli është njeriu të cilit duhet t’i përgjigjet kompania amerikane.

Në reagimin e kësaj ministri pranohet se kompania e angazhuar nuk është e ngarkuar për lobim, por vetëm për këshillim. Thuhet se arsyeja përse është angazhuar kjo kompani është për shkak të lotimit të Serbisë kundër Kosovës.

“Lobimi është praktikë e njohur dhe krejtësisht legjitime të cilën e aplikojnë shtetet për ti avancuar dhe mbrojtur interesat e tyre në botë. Në këtë kontekst nuk bënë përjashtim as Republika e Kosovës”.

“Duke u ballafaquar me një ofensivë të rëndë lobimi nga Serbia në të gjitha qendrat botërore të vendimmarrjes, me qindra miliona euro të shpenzuara në lobim kundër Kosovës, kjo është gjëja më e pakët që mund të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo kompani këshilluese fushëveprimin e punës dhe aktivitetet lobuese për shtetin e Kosovës nuk i ka të kufizuara vetëm në SHBA, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

Linku i plotë i hulumtimit për kontratën e dyshimtë mes kompanisë amerikane dhe Ministrisë së Integrimeve

Ministrja Hoxha i jep kontratë biznesmenit amerikan të përfshirë në “skandalin me rusë” të PD-së

Përkundër se emri i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit gjendet si person përgjegjës të kësaj kontrate, që ngatërron pushtetin legjislativ me atë ekzekutiv të Kosovës, kjo ministri thotë se asnjë procedurë nuk është shkelur.

“Asnjë procedurë e vetme nuk është shkelur. Të gjitha detajet e saj janë publike dhe mund të gjenden në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Siç edhe mund të shihet në kontratën publike, palë kontraktuese në këtë marrëveshje janë vetëm Ministria e Integrimit Evropian dhe kompania në fjalë”.

Dhurata Hoxha hesht tërë ditën për 152 mijë eurot që i nënshkroi për Kadri Veselin

“Po ashtu, duam të theksojmë se baza ligjore e Republikës së Kosovës, e lejon parimin e konfidencialitetit në rastet e lidhjes së kontratave për çështje të ndryshme me interes shtetëror. Mirëpo, fakti që kjo kontratë është tërësisht publike, dëshmon se nuk ka asgjë për t’u fshehur dhe është praktikë mëse normale për çdo shtet”, përfundon reagimi i Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Insajderi gjatë ditës së sotme ka raportuar për kontratën e dyshimtë mes Ministrisë së Integrimeve Evropian dhe kompanisë amerikane që udhëhiqet nga Joe Allaham.

Linku i plotë i hulumtimit për kontratën e dyshimtë mes kompanisë amerikane dhe Ministrisë së Integrimeve.

Ministrja Hoxha i jep kontratë biznesmenit amerikan të përfshirë në “skandalin me rusë” të PD-së

Ani pse Ministria e Integrimit Evropian e paraqet këtë kontratë si përpjekje e qeverisë për të forcuar pozitat e Kosovës brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, firma nga e cila ka zgjedhur të këshillohet thotë se do të kryejë punë të tjera.

Kontrata të cilën Hoxha e lidhi me kompaninë amerikane “Madison Global Strategies” për shërbime të konsulencës, përfshin edhe këshillim në favor të Ministrisë e takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës Trump.

Kurse në shkresat e kontratës, të cilat kompania është e obliguar t`i raportoj në Departamentin Amerikan të Shtetit, Insajderi ka parë se aty figuron edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Ministrja Hoxha njihet për afërsinë politike me udhëheqësin e PDK-së – i cili i ka besuar asaj udhëheqjen e dy ministrive në katër vitet e fundit – të cilit i ka dalë në mbrojtje pothuajse në të gjitha vendimet Kadri Veselit brenda partisë.

Ndonëse në njoftimin e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) nuk përmendet askund Kadri Veseli, emri i kryetarit të Kuvendit të Kosovës përmendet në dokumentet të cilat janë paraqitur në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) – e cila është pjesë e Departamentit të Drejtësisë në SHBA.

Sipas të dhënave të kontratës, e cila vlen 153 mijë euro, institucioni të cilin do ta përfaqësojë firma lobuese “Madison Global Strategies, LLC”, është Ministria e Integrimeve Evropiane, mirëpo emri i zyrtarit me të cilin “do të merret vesh regjistruesi [firma]” është Kadri Veseli.


(Kosova Sot Online)