Gjenerali serb bën këtë veprim kur fillon të flitet për Kosovën në mbledhjen e NATO-s

  • 12 July 2019 - 08:37
Gjenerali serb bën këtë veprim kur fillon të flitet për Kosovën në mbledhjen e NATO-s

Gjenerali Pedrag Bandic, shef i delegacionit të Serbisë e ka lëshuar mbledhjen e rajonale të NATO’së në momentin kur aty i kanë filluar diskutimet zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Burim Ramadani, dhe drejtori i Autoritetit Civil të Aviacionit, Eset Berisha.

Se Bandic e ka lëshuar takimin, ka treguar vetë Burim Ramadani, duke shprehur keqardhje për një qëndrim të tillë të palës serbe.

“Sjelljet e këtilla të Gjeneralit serb nuk i kontribuojnë qasjes së përbashkët rajonale të normalizimit të aviacionit në Ballkan. Shpreh keqardhjen time për këtë veprim”, ka thënë Ramadani. 

Sipas tij hapja e hapësirës së ulët ajrore është një proces i pandalshëm dhe do të kontribuojë  në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë rajonit, pasi që do të zvogëlohet kohëzgjatja e fluturimeve.

“Kosova e ka të qartë rrugën përpara. Hapja e hapësirës së ulet ajrore do të ndodh. Kjo i kontribuon mirëqenies së qytetarëve të Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi. Çmimet për biletat e fluturimit do të ulen, kohëzgjatja e fluturimeve do të zvogëlohet, dhe kjo ndihmon në jetën e përditshme”, ka shtuar ai.

Takimi në NATO ka qenë takim rajonal dhe është mbajtur, ndër të tjera, edhe me qëllim të gjetjes së zgjidhjes teknike për hapësirën e ulët ajrore të Kosovës.

(Kosova Sot Online)