Sulm fizik nën kërcënimin e armës në Pejë

  • 12 July 2019 - 14:57
Sulm fizik nën kërcënimin e armës në Pejë

I.B vazhdon të marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, shkaku i lëndimeve të rënda trupore si pasojë e një sulmi fizikik nga dy persona në Pejë, njëri prej të tyre dyshohet se është B. Z., – i dënuar në vitin 2002.

Viktima ka qenë duke punuar në autolarjen e tij në qytetin e Pejës kur dy persona, të dyshuarit B. Z. dhe T. H. dalin nga një veturë dhe e sulmojnë fizikisht.

Sulmi ka ndodhur pas një zënke ndërmjet viktimës dhe D. M., i cili më pas kishte mbledhur shokët e tij për të shkuar në autolarje.

Rastin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, zëdhënës i kësaj prokurorie. Ai ka thënë se dy të dyshuarve Gjykata Themelore në Pejë u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, me kërkesë të prokurorit të rastit.

“Lidhur me atë rast janë ndaluar dy persona, për të cilët Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë. Ata dyshohen për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’”, ka thënë Nikçi.

B. Z., ishte dënuar me 5 vjet burg në vitin 2002, pasi ishte shpallur fajtor për heqje të paligjshme të lirisë, e cila kishte rezultuar me vdekje. Si rezultat i kësaj vepre penale kishte vdekur Bashkim Balaj.

(Kosova Sot Online)