Dënohet me 13 vjet burgim për vrasje

  • 12 korrik 2019 - 15:58
Dënohet me 13 vjet burgim për vrasje

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit M. A. në kohëzgjatje prejtrembëdhjetë (13) viteve burgim.

I akuzuari, me datë 18 gusht 2016, rreth orës 18:00 në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin S. R., duke shtënë në drejtim të tij dy herë me revole të tipit “Vzor” 50 të kalibrit 7.65 mm.

Në ditën kritike i ndjeri takohet me të akuzuarin dhe fillojnë të bisedojnë, lidhur me një mosmarrëveshje të mëhershme dhe pas një bisede te tensionuar i akuzuari nxjerrë revolen dhe shtënë dy herë në drejtim të ndjerit S. R., i cili po ashtu posedonte një revole.

Me këto veprime i akuzuari M. A., ka kryer veprat penale “vrasje” dhe “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Trupi gjykues për dispozitivin e parë të aktakuzës ka shqiptuar dënim prej 12 vite e gjashtë muaj burgim, ndërsa për dispozitivin e dytë i shqipton dënim një vit burgim.

Konform nenit 76 paragrafit 1 të KPRK-së, të akuzuarit i shqiptohet dënim unik në kohëzgjatje prej 13 vite burgim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

(Kosova Sot Online)