Nga anonimë, të papunë, pensionistë e servilë të kryetarëve, deputetët e rinj me zyra luksoze dhe makina me shoqërues

  • 13 July 2019 - 09:23
Nga anonimë, të papunë, pensionistë e servilë të kryetarëve, deputetët e rinj me zyra luksoze dhe makina me shoqërues

Deputetët e rinj të opozitës parlamentare që u bënë pjesë e parlamentit pas 16 shkurtit të këtij viti kanë ngelur sërish anonimë.

Të rinj të papunë, të moshuar në prag pensioni, servilë të kryetarëve të partive apo edhe drejtues partish pa elektoral ‘vrapuan’ pas thirrjes së KQZ-së për të marrë mandatin e deputetit.

Pasi ishin përbetuar për rrëzimin e kryeministrit Ramës në zgjedhjet e vitit 2017, pas hyrjes në parlament shumë prej tyre bashkuan votat në çdo ligj apo vendimmarrje të iniciuar në PS. Shumë shpejt, shumë prej tyre harruan betimet e për opozitë ‘të hekurt’ e ‘të vërtetë’ dhe vendosën të pranojnë çdo benefit që i sillte kostumi i deputetit.

Në formularët e dekriminalizimit të dorëzuara në Kuvend shumë prej të rinjve deklaronin se profesioni i deputetit ishte puna e parë që bënin në jetën e tyre, por pavarësisht kësaj ata pranuan të marrin jo vetëm përgjegjësi në jetën parlamentare por edhe kërkuan dhe morën zyra e shoferë në dispozicion.

Seancat parlamentare të ditëve të enjte, shumë prej tyre i kanë shfrytëzuar si mundësi ekspozimi në blicet e aparateve të paparazëve të Kuvendit ndërkohë që nuk mungojnë edhe foto në zyrat, sallat e komisioneve dhe holleve të parlamentit.

(Kosova Sot Online)