Shkon në 26 numri i të vrarëve nga sulmi vetëvrasës në Somali

  • 13 July 2019 - 11:28
Shkon në 26 numri i të vrarëve nga sulmi vetëvrasës në Somali

Të paktën 26 njerëz janë vrarë në një sulm vetëvrasës me bombë dhe armë në një hotel në pjesën jugore të Somalisë. Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i sigurisë, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi “Al-Shabaab”.

Autoritetet njoftuan se një sulmues vetëvrasës e shpërtheu një veturë të mbushur me mjete plasëse në hotelin e famshëm “Medina”, në qytetin jugor të Kismayo-s të premten, para se disa sulmues të armatosur të hynin në hotel dhe të qëllonin me armë zjarri.

“Forcat e sigurisë e kanë marrë situatën nën kontroll. Sulmuesi i fundit është qëlluar dhe është vrarë”, tha zyrtari i sigurisë, Mohamed Abdiweli.

“Ka trupa të pajetë dhe persona të plagosur brenda hotelit dhe nuk mund t’i japim hollësitë e sakta, por deri tash i kemi konfirmuar 26 trupa të vdekur dhe disa njerëz njerëz të plagosur. Besojmë se në sulm ishin të përfshirë katër sulmues, ndërsa numri i viktimave mund të rritet”, shtoi ai.

Dëshmitarët thanë se në mesin e personave të vrarë janë edhe një aktiviste e njohur e rrjeteve sociale, bashkëshorti i saj dhe një gazetar lokal. “Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm. I kam parë disa trupa të vdekur dhe njerëzit duke u larguar nga ndërtesat përreth”, tha dëshmitari Hussein Muktar.

Përndryshe, Sindikata Somaleze e Gazetarëve njoftoi se në mesin e të vrarëve janë edhe dy gazetarë.

Luftëtarët e grupit “Al-Shabaab” janë duke luftuar për më shumë se një dekadë që ta rrëzojnë qeverinë e tanishme të Somalisë. Besohet se ky grup përbëhet nga 5000 deri 9000 mijë anëtarë, shkruan “The Guardian”.

(Koosva Sot Online)