Gjenocidi, fjala e mohuar

  • 13 July 2019 - 17:44
Gjenocidi, fjala e mohuar

“Serbia nuk i madhëron krimet e luftës dhe as që anon kah revizionizmi”, ka thënë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, një ditë pasi që deputeti i partisë në pushtet, Partisë Progresiste Serbe (SNS), Vladimir Gjukanoviq, ia ka uruar “popullit serb, ditën e çlirimit të Srebrenicës”.

Bërnabiq edhe një herë ka refuzuar që ngjarjen në Srebrenicë ta quajë me emrin gjenocid, duke thënë se shërbehet me deklaratën e Kuvendit të Serbisë, në të cilën ajo fjalë nuk përmendet.

“Si kryeministre e Qeverisë së Serbisë, mund të shërbehem vetëm me atë që e ka thënë trupi më i lartë ligjdhënës, Kuvendi i Serbisë, përmes Deklaratës për dënimin e krimit në Srebrenicë”, theksoi Ana Bërnabiq dhe shtoi që shprehë “ngushëllimet e thella dhe dhembshuri me familjet dhe miqtë e viktimave”.

Ofendimet nga pozitat e larta

Në ditën kur në Qendrën komemorative në Potoçari janë varrosur edhe 33 viktima të gjenocidit, nga ana e partive politike në pushtete, në Beograd, janë dëgjuar sërish porosi që miratojnë dhe ofendojnë viktimat, që përjashtojnë përgjegjësinë, si dhe porosi, të cilat po përsëriten tash e disa vite pa ndonjë pasojë, në ditën kur shënohet 11 korriku.

Deputeti i Partisë Progresiste Serbe, Vladimir Gjukanoviq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thotë se “nuk do të distancohet” nga urimi për “ditën e çlirimit të Srebrenicës” dhe falënderimi për “gjeneralin Ratko Mladiq, për realizimin brilant të operacionit ushtarak ‘Krivaja 95’”, të cilat i kishte shënuar në faqen e tij në rrjetin social Twitter.

Partia Progresiste Serbe, në krye të së cilës është kryetari i shtetit, Aleksandar Vuçiq, nuk është distancuar nga kjo paraqitje e deputetit të tij. 

Ndonëse, mohimi i gjenocidit në Srebrenicë nuk është vepër penale në Serbi, nga Prokuroria nuk ka asnjë përgjigje lidhur me pyetjen e Radios Evropa e Lirë, se a do të mund të ngitet proces ndaj deputetit Gjukanoviq, për shkak të gjuhës së urrejtjes.

“Kjo nuk është hera e parë që shprehet gjuha e urrejtjes, sidomos para dhe gjatë 11 korrikut. Megjithatë, sa kam unë njohuri, organet shtetërore nuk kanë reaguar asnjëherë dhe nuk e kanë sanksionuar askënd”, thotë Ivana Zhaniq nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Srebrenica, gjatë ditës kur është shënuar përvjetori i gjenocidit, ka qenë temë edhe në Kuvendin e Serbisë, prej nga edhe i dënuari si kriminel lufte, deputeti dhe lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshelj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të mbledhë të dhënat që“t’i tregojë opinionit botëror që në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocidi” dhe se e gjithë kjo është “mashtrim”.

Në të njëjtën ditë, ministri për Teknologji dhe Zhvillim i Qeverisë së Serbisë, Nenad Popoviq, ka porositur që “për shkak të vënies së kushteve të reja dhe poshtëruese, me të cilat kërkohet që Serbia të pranojë gjenocidin e rrejshëm në Srebrenicë, në mënyrë që të përparojë në rrugën drejt BE-së, është e domosdoshme që të rishqyrtohet procesi i mëtutjeshëm i integrimeve evropiane me qëllim që të mbrohen interesat kombëtare të Serbisë dhe popullit serb”.

Image

Duke reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit të Gjermanisë në Beograd , Thomas Schieb, i cili ka thënë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka theksuar që “nuk pranon që ambasadori i Gjermanisë t’u flasë serbëve se çfarë të mendojnë dhe të bëjnë, e në veçanti që t’u flasë se çka është gjenocidi”.

Nderime për viktimat kanë bërë ambasadorët dhe organizatat joqeveritare

Pikërisht ambasadorët e Gjermanisë, SHBA-së, Norvegjisë, Italisë dhe Australisë në Beograd, kanë qëndruar pranë përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe personaliteteve publike, të cilët të enjten, në parkun para objektit të Presidencës së Serbisë, kanë ndezur qirinj për viktimat e gjenocidit. Qetësinë e thyenin thirrjet ofenduese të një grupi të njerëzve, të cilët përpara parkut u mblodhën të veshur me fanella me simbole nacionaliste dhe me figurën e Ratko Mladiqit, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë dhe për krimet tjera.

(Kosova Sot Online)