Aksioni i policisë në Deçan, nëntë gra përfundojnë në qendrën e migracionit

  • 14 July 2019 - 12:30
Aksioni i policisë në Deçan, nëntë gra përfundojnë në qendrën e migracionit

Policia e Kosovës ka zhvilluar të shtunën një aksion kundër lokaleve të bixhozit të cilët shërbejnë në mënyrë ilegale. Aksioni është zhvilluar në zonën e Deçanit.

“Stacioni policor në Deçan së bashku me inspektorët komunal ka verifikuar disa lokale në komunën e Deçanit, gjatë kontrollimit është hasur në një lokal i cili nuk kishte leje e as mbishkrim, në këtë lokal janë hasur 5-(pesë) aparate të lojërave të fatit duke funksionuar dhe një numër i konsideruar i formave rrumbullake të plastikës që shërbejnë për lojën e bixhozit”, thuhet në një komunikatë të policisë.

Aparatet për lojërat e fatit janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës ndërsa të dyshuarit me urdhër të prokurorit të shtetit i caktohet masa e ndalimit prej 48- orësh.

Policia bën të ditur se gjatë këtij aktiviteti nga inspektoret komunal është mbyllur një lokal për arsye se i njëjti nuk posedonte leje përkatëse pune.

Po ashtu, në njoftim theksohet se janë verifikuar nëntë gra të cilat ishin duke shërbyer në këtë lokal.

“Gjithashtu policia ka verifikuar edhe 9- (nëntë), persona të gjinisë femërore të cilat ishin duke shërbyer ne atë lokal, të njëjtave iu janë sekuestruar dokumentet personale dhe në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, të njëjtat procedohen nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe të Migracionit”, thekson policia.

Në këtë plan kanë qenë të përfshirë Stacioni Policor në Deçan dhe inspektorët komunal të komunës së Deçanit, të përkrahur nga Dogana e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Pejë.

(Kosova Sot Online)