A pajtohen deputetët pozitë-opozitë kur udhëtojnë bashkë jashtë vendit?

  • 15 July 2019 - 08:03
A pajtohen deputetët pozitë-opozitë kur udhëtojnë bashkë jashtë vendit?

Deputetët e partive politike në pushtet dhe opozitë, përveç mospajtimeve për punët që kanë të bëjnë me çështje të brendshme, kanë mospajtime e kritika të rënda për mënyrën e përfaqësimin të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Deputetët, qoftë si komisione parlamentare apo grupe të deputetëve, realizojnë vizita të përbashkëta në parlamente të shteteve të ndryshme, apo në institucionet e Bashkimit Evropian dhe organizata tjera. Por, jo gjithmonë, qëndrimet e tyre janë unike, çka shpesh kanë qenë edhe temë e debateve pasi që këto vizita kanë përfunduar.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Evgjeni Thaçi-Dragusha, anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, tha për Radion Evropa e Lirë, se disa deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, në takimet jashtë vendit nuk mbajnë qëndrimet unike të Kosovës për çështje të caktuar, por flasin për interesa partiake.

“Përfaqësuesit e kësaj partie, Vetëvendosjes, në shumë raste kanë bërë [ose] kanë shprehur qëndrime të cilat nuk janë në interes të Kosovës dhe proceseve të integrimit për të cilat ne po mundohemi që sa kohë”, tha deputetja Thaçi-Dragusha.

Ajo në veçanti ka kritikuar kolegen e saj nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli e cila po ashtu është anëtare e Komisioni për Politikë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

“Ajo duke përfaqësuar interesat e partisë së vet, nuk i qëndron besnike politikës [së përbashkët] dhe mundohet që gjithë atë politike populiste që e përdorë brenda vendit, ta shprehë edhe në takime që kemi me përfaqësuesit nga vendet e tjera, sidomos ato evropiane. Kjo na ka bërë që të shprehim atë frustrimin tonë dhe kemi bërë që të dalim publikisht ta dënojmë këtë”, tha Thaçi – Dragusha.

Thaçi-Dragusha, tha se ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në raportimin e fundit të saj në Komisionin për Punë të Jashtme, ka treguar se përfaqësuesit ndërkombëtarë, siç tha ajo, e kanë përmendur mosunifikim e politikës për lobim për liberalizim dhe çështje të tjera.

Nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se pohimet e tilla nga koleget e saja deputete, janë të pavërteta.

Ajo theksoi se deputetët dhe përfaqësuesit e partive në pushtet kur dështojnë ose kur keqpërdorin paranë publike, nisin me akuza ndaj opozitës dhe personave të caktuar.

Pacolli tha se emri i saj përmendet për çështje të tilla, por deri tash askush nuk ka ofruar ndonjë fakt.

“Unë sa herë kam mundësi që të flas me deputetë të cilitdo shtet evropian apo pjesëtarë të qeverisë të cilitdo shtet evropian apo të qeverive jashtë BE-së, unë mundohem ta përfaqësoj vendin në mënyrën më të mirë të mundshme. Pra, nuk bëj politikë siç pretendohet nga deputetja Evgjenia apo ministrja (Hoxha). Unë i përfaqësoj interesat e qytetarëve dhe shtetin e Kosovës dhe nuk praqes interesat e askujt tjetër në çfarëdo takimi që unë mbaj”, tha Pacolli.

Ajo shtoi se në takime të ndryshme jashtë vendit, institucionet nuk kritikohen, por sipas saj, kur flitet për aferat e korrupsionit ato dalin në pah, pasi që siç thotë Pacolli, ato dihen dhe ekzistojnë.

“Në raportet e Bashkimit Evropian thuhet se ky shtet është i kapur prej njerëzve specifikë. Pra, Bashkimi Evropian i ka emrat dhe i dinë personat të cilët janë të involvuar në krim të organizuar dhe të cilët thjesht janë të korruptuar dhe janë ende në Qeveri ose kanë edhe aktakuza. Këto janë gjëra që dihen dhe nuk kemi nevojë që t’i përsërisim, ndonëse ata mund të bëjnë pyete se çfarë jeni duke bërë për ta luftuar korrupsionin? Dhe ne themi se nuk është duke u bërë asgjë për ta luftuar korrupsionin sepse kjo është e vërteta”, tha deputetja Pacolli.

Komisioni për Politikë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në Kuvendin e Kosovës dhe Komisioni për Integrime Evropiane, janë dy komisione që më se shumti kanë rol për çështje lobimi. Andaj, anëtarët e këtyre komisioneve realizojnë vizita të shpeshta në shtetet të ndryshme.

Vizitat e kohëve të fundit që anëtarët e këtyre komisioneve kanë zhvilluar në disa vende, thuhet se kishin si qëllim çështjen e liberalizimit të vizave, si një synim dhe prioritet i të gjitha forcave politike në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu- Kodra tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni që ajo drejton, përbëhet nga deputetë të partive të ndryshme që janë në pushtet dhe opozitë, por sipas saj, deri më tash për ndonjë çështje të caktuar në takimet jashtë vendit, nuk ka pasur qëndrime të kundërta.

“Në komisionin në të cilin jam unë dhe kryesoj Komisionin për Integrime, ne kemi pasur një koordinim shumë të mirë me opozitën. Natyrisht duhet të jem falënderues karshi deputetëve… me përjashtime të vogla, por kryesisht kanë qenë unik në qëndrimin e procesin e liberalizimit të vizave, për të pasqyruar të arriturat e Kosovës në procesit e integrimit, por për të përfaqësuar edhe interesin e Kosovës në këto takime”, tha Deliu-Kodra.

Deputetja Deliu-Kodra tha se kur flitet për një proces si liberalizimi i vizave, institucionet, në këtë rast edhe Kuvendi dhe deputetët, është me rëndësi që të kenë qëndrime reale dhe unike, sidomos në lidhje me kriteret të cilat Kosova i ka përmbushur dhe të cilat i njeh edhe Bashkimi Evropian, shkruan Radio Evropa e Lirë.

(Kosova Sot Online )