E thotë eksperti i sigurisë: Drejtësia kosovare sundohet nga klanet e nëntokës

  • 15 July 2019 - 08:20
E thotë eksperti i sigurisë: Drejtësia kosovare sundohet nga klanet e nëntokës

“Kjo lojë e zvarritjes së zbatimit të ligjit është përgatitur në mënyrë shumë perfide, të mirë paramenduar. Kësaj po i kontribuon tani edhe ky eksperimentet i Gjykatës Themelore të Prishtinës me formimin e Departamentit special kinse kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që në realitet nuk është gjë tjetër vetëm edhe një veprim legal për humbje kohe pasi vet sistemi juridik e shtetëror është në dorën e krimit të organizuar”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Njohësi i fushës së sundimit të Ligjit në Kosovë, Naim Miftari, konsideron se me të gjitha veprimet improvizuese që po merren nga sistemi i drejtësisë , kinse për rishikim të ndonjë ligji dhe fuqizim të institucioneve me kapacitete të reja, të vetmin qëllim kanë zvarritjen e qëllimshme të zbatimit të ligjit në luftimin e krimit të organizuar.

Image
Naim Miftari

Kështu sipas Miftarit, është vepruar së fundi edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku u formua dhe promovua Departamenti i veçantë i kësaj gjykate, i specializuar kinse për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“As që mundë të presim se një risi e tillë që u promovua në këtë gjykatë, e që u tha se do të ketë për qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe të Korrupsionit do të jep ndonjë rezultat më të madh se që kemi pasur deri më tani. Kur e jap këtë mendim kam shumë arsye sepse përgjegjësia nuk është për dështim te mungesë e kapaciteteve të veçanta që u dashka të ndërtohen por është mos veprimi sipas ligjit i vetë gjykatave, mos veprimi sipas ligjit i policisë, inteligjencës dhe prokurorisë. Përgjegjësia komplet bije mbi këto institucione si dhe në Ministrinë e Drejtësisë. Për këtë dështim të deritanishëm dhe këto improvizime që po ndodhin jo pak përgjegjësi tani i takon edhe Ministrisë së Drejtësisë e cila po harton kinse politika të reja dhe propozime për këso lloj departamentesh e këso drejtorish të specializuara vetëm sa për të blerë kohë për mos veprim”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”

Miftari tha për “Kosova Sot Online” deklaroi se këto zvarritje për të ecur përpara në zbatimin e ligjit, i ngjajnë lëvizjes në hapa që e bënë kërmilli, pasi kështu arrihet të realizohet objektivi i blerjes së kohës për të mbrojtur të korruptuarit dhe të inkriminuar që kanë rënë ndesh me ligjin e që do të duhej të ndiqen pa vonesë dhe të ballafaqohen me ligjin e të ndëshkohen.

“Kjo lojë e zvarritjes së zbatimit të ligjit është përgatitur në mënyrë shumë perfide, të mirë paramenduar. Kësaj po i kontribuon tani edhe ky eksperimentet i Gjykatës Themelore të Prishtinës me formimin e Departamentit special kinse kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që në realitet nuk është gjë tjetër vetëm edhe një veprim legal për humbje kohe pasi vet sistemi juridik e shtetëror është në dorën e krimit të organizuar”, theksoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij edhe këto veprime që po ndodhin kins në krijimin e departamenteve apo drejtorive të specializuara për tu marr me krimin e korrupsionin, vetëm sa e forcojnë argumentimin se me këto skenarë të mirëpërgatitura për ta dështuar sundimin e ligjit, pajtohen të gjitha partitë politike dhe nuk reagojnë.

“Ky është realiteti për të cilin po flasim për çdo ditë sepse jemi në një vend ku shumica e partive politike, institucionet, parlamenti, presidenca, kryeministria, që të gjitha këto sundohen nga klanet e nëntokës grup njerëzish që mbrojnë interesat materialë e karrierist të disa njerëzve por nuk mbrojnë interesin e qytetarëve të Kosovës. Pra në këtë fushë vendin i jonë është në kulmin e dështimit si shtet pasi që kokat kryesore të politikës janë baronët e krimit të organizuar dhe ata janë të pa prekshëm nga drejtësia”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)