Vizita në Beograd, çfarë presin serbët nga Macron

  • 15 July 2019 - 11:33
Vizita në Beograd, çfarë presin serbët nga Macron

Ndërmjet zbulimit të tabelës në aeroportin e Nikola Tesllës dhe në një adresim ndaj qytetarëve bashkë me nikoqirin e tij, Aleksandër Vuçiq, kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron, i cili sot nis një vizitë dyditore në Serbi, do të ketë një numër takimesh zyrtare, nga të cilat është e vështirë të lexohet se çfarë do të dërgojë ai në “valixhen diplomatike” në Beograd.

Ka shumë analiza dhe konkluzione të ndryshme nga të cilat Macron shkon për të eksploruar mundësitë për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, meqë vizita e tij është pjesë e tendencës që Franca të forcojë praninë e saj në rajon.

Sipas Tanjug, kjo vizitë shihet poashtu si pjesë e agjendës së Macron për të imponuar veten si një udhëheqës i Bashkimit Evropian. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai francez Emmanuel Macron, pritet të nënshkruajnë rreth 20 marrëveshje bashkëpunimi në fushën e ekonomisë.

Pesë marrëveshje, mes dy vendeve, do të nënshkruhet në fushën e armatimit, njoftoi ministra e Brendshme e Serbisë.

Ndërkohë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se shpreson se presidenti francez, gjatë vizitës në Beograd, do të ndërpresë siç e quajti ai, lojën me taksën, të cilën e ka vendosur Kosova ndaj mallrave serbe, si dhe do të japë garanci se ajo do të përfundojë.

“Askush nuk mund të më bindë se Evropa Perëndimore, në të cilën Franca është një nga udhëheqëset, dhe Shtetet e Bashkuara, nuk mund ta detyrojnë Ramush Haradinajn,për tetë muaj, të heqë një vendim të turpshëm administrativ”, tha Daçiq.

Ai tha se ardhja e Macronit është një nga vizitat më të rëndësishmë të personaliteteve të huaja në dekadën e fundit, dhe se Beogradi ka shpresa të mëdha nga kjo vizitë.

(Kosova Sot Online)