Dyshime për abuzime me arkat fiskale, fillojnë hetimet ndaj ATK-së

  • 15 July 2019 - 12:07
Dyshime për abuzime me arkat fiskale, fillojnë hetimet ndaj ATK-së

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë të ditur se ka filluar hetimet në Administratën Tatimore të Kosovës, për moszbatim të udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale.

Përmes një njoftimi për media, nga AKK kanë deklaruar se inspektorët po e monitorojnë ATK-në, pas një ankese që është pranuar nga një ndërmarrje, sipas pretendimeve të së cilës, ATK qëllimisht nuk e ka zbatuar udhëzimin administrativ, për t’ia pamundësuar instalimin e pajisjeve të reja fiskale në treg.

“Dyshimet fillestare janë se me kufizimin e ofrimit të shërbimeve të kompanive të licencuara në tregun përkatës, të pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, biznesit i privohet e drejta e zgjedhjes për marrjen e shërbimeve tek operatorët ekonomik të licencuar. Dhe qe ATK me këto veprime mund të shpie tek format e keqpërdorimit të pozitës dominuese, marrëveshjeve të ndaluara apo praktikave të bashkërenduara”, thuhet në njoftim. 

Dyshime ka gjithashtu se transparenca në këtë treg është e ulët duke e dobësuar presionin konkurrues nga ana e kërkesës nisur nga gjendja aktuale e tregut e cila shpie në përforcimin e 2 ose 3 kompanive ekzistuese të cilat kanë fuqi të madhe në tregun përkatës. Gjë që mund të ngulfatet konkurrenca, eliminohen, largohen, dekurajohen kompanitë tjera për shkak të këtyre barrierave.

AKK ka bërë të ditur se pasi që të mblidhen faktet dhe argumentet për këtë çështje do të dilet me një konkludim përfundimtar.

(Kosova Sot Online)