Denoncon profesori i së drejtës: Drejtësia kosovare nën kthetrat e klanit të Hashim Thaçit

  • 15 July 2019 - 15:30
Denoncon profesori i së drejtës: Drejtësia kosovare nën kthetrat e klanit të Hashim Thaçit

“Vetë fakti i mos kapjes së asnjë zyrtari në nivel qendror të politikës, të policisë , të prokurorisë dhe të gjykatave; mos kapja e asnjë oligarku kriminal në ekonomi etj., flet qartë për raportin e SHBA-së dhe saktësinë e tij mbi sistemin e tillë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Raporti i fundit nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së provoi për të satën herë se në Kosovë, në sistemit e luftimit të krimit dhe të korrupsionit, sikundër dhe në prokurori e në drejtësi ka veprime të mëdha antiligjore dhe se ato tërësisht janë nën ndikimin e politikes.

Image
Muhamet Kelmendi

E lidhur me këtë, për “Kosova Sot Online” ka folur profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi.

“E tërë kjo del nga disa fakte analitike të pa kontestueshme: Mos luftimi i krimit në nivel qendror të shtetit, nga presidenca dhe presidenti, e deri te gjyqtarët dhe prokurorët, prej nga del se nuk kanë fakte për pasurinë e treguar dhe varshmëria tërësisht është nga politika, dhe ajo e nivelit qendror, nga klani "Pronto" i Hashim Thaçit. Vetë fakti i mos kapjes së asnjë zyrtari në nivel qendror të politikës, të policisë , të prokurorisë dhe të gjykatave; mos kapja e asnjë oligarku kriminal në ekonomi etj., flet qartë për raportin e SHBA-së dhe saktësinë e tij mbi sistemin e tillë”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesor Kelmendi ka thënë se derisa departamenti bëri analizën e tërë kësaj fushe dhe vetëm na rikujtoi se sa është varshmëria e drejtësisë nga politika dhe sa e pengon politika drejtësinë në luftimin e krimit dhe korrupsionit, qytetarëve vazhdon të ju humbet akoma më shumë besimi në këtë drejtësi. Sipas tij, me ndryshimet politike duhet të pastrohet edhe ky sistem.

“Madje u tha se edhe vetë sistemi është i korruptuar. Mu ky fakt tregon domosdoshmërinë e spastrimit të këtij sistemi. Të vjen për të vjell kur vetëm në konkursin e fundit për noter dalin kinse më të përgatiturit bashkëshortët edhe të afërmit e udhëheqësve në PDK prandaj ky është kulmi i krejt kësaj”, përfundoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)