Detaje të autopsisë nga vrasja e 11 vjeçarit – viktima ishte dhunuar seksualisht 3 herë

  • 15 July 2019 - 17:11
Detaje të autopsisë nga vrasja e 11 vjeçarit – viktima ishte dhunuar seksualisht 3 herë

Qe tre ditë është hapur e pamja për vdekjen e 11-vjeçarit K.Veseli në Fushë Kosovë. Ai u gjet i vdekur të enjten e 11 korrikut, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor, në lagjen ‘Xhemail Mustafa’. Nëna e tij ka akuzuar një 20-vjeçar për dhunimin e pastaj vrasjen e djalit. Rastin për abuzimin seksual ajo e kishte paraqitur në polici në janarin e këtij viti. Por, ndaj të dyshuarit policia kishte ngritur veç kallëzim penal. Autopsia e bërë në trupin e 11-vjeçarit të ndjerë tregon se ai u dhunua tri herë. Dhunimi i fundit kishte ndodhur pak para vrasjes makabre të tij. Për rastin ende nuk është arrestuar asnjë person.

Për vite të tëra brodhi rrugëve të Fushë Kosovës duke mbledhur shishe e kanaçe. Përmes tyre po e siguronte mbijetesën për katër anëtarët e familjes: dy vëllezërit, motrën dhe nënën. Por kjo punë, që K.Veseli, 11 vjeç, po e bënte, nuk ishte e lehtë. Ai në terren përveç vështirësive për sigurimin e jetesës po ballafaqohej me probleme të tjera.

Gjatë përpjekjeve për të mbledhur kanaçe, K.Veseli dyshohet se disa herë u dhunua seksualisht, fizikisht e psiçikisht nga një person, rreth 20 vjeç, i cili po akuzohet nga ana e familjes së të ndjerit se ua mbyti djalin.

Por, në kohën sa ai ishte gjallë, shqetësimet për këto dhunime sistematike tashmë i ndjeri ia kishte treguar nënës së tij Makfires. Ajo, rastin e kishte raportuar në Policinë e Kosovës.

Kjo e fundit kishte ngritur kallëzim penal ndaj të dyshuarit S.O. Por, gjithçka kishte përfunduar aty.

Askush më nuk u mor me rastin e të miturit i cili nuk jeton më.

Media ka kontaktuar organet e hetuesisë kosovare për t’i vërtetuar deklaratat e zonjës Makfire (nënës së 11-vjeçarit), e cila ka deklaruar se sa e kishte gjallë djalin ishte ankuar në policinë e Kosovës se atë po e ngacmonin seksualisht.

Nga policia e Kosovës kanë deklaruar se qe nga janari i këtij viti kanë pranuar informacionet rreth keqtrajtimit seksual të 11-vjeçarit.

Zyra për informim nga policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës thanë, të hënën, se informatat e para rreth këtij rasti i kishin marrë më 29 janar të vitit 2019.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë se më datën 29 janar 2019, kemi pranuar informatën për një  rast te keqtrajtimit seksual. Informata është trajtuar nga ana e policisë, me pas është iniciuar rast”, kanë deklaruar nga policia.

Por, pas rreth 3 muajve, policia e Kosovës kishte ngritur kallëzim penal ndaj personit të dyshuar për këtë rast.

“Më datën 15 prill është ngritur kallëzim penal ndaj personit te dyshuar dhe i njëjti rast është proceduar ne prokurori”, deklarojnë nga policia.

Ndërkohë, nga policia e as nga prokuroria nuk kanë dhënë informata rreth personit i cili dyshohet se e ka dhunuar seksualisht e pastaj vrarë 11-vjeçarin.

Mirëpo, media  nga burimet e saj brenda këtyre institucioneve hetimore, mëson 20-vjeçari S.O. është i dyshuari kryesor për dhunimin e K.Veselit.

Megjithatë, nga prokuroria e shtetit po deklarojnë se në bashkëpunim me policinë po i vazhdojnë hetimet. Dhe se për këtë rast ende nuk është arrestuar asnjë person.

“Jemi në fazën e hetimeve. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, unë vetëm mund t’ju konfirmojë se jemi duke i vazhduar hetimet. Ende nuk e kemi marrë raportin e autopsisë”, ka deklaruar për media prokurori i rastit, Hivzi Bajrakari.

Nëna e viktimës: Djalin ma dhunuan seksualisht 2-3 herë e pastaj e vranë

Në ditën e tretë të së pamës për djalin e vdekur, Makfirja po deklaron se askush ende nuk ka trokitur në derën e saj për të marrë ndonjë deklaratë rreth gjithë versionit të ngjarjes që ajo e shpjegon.

Edhe pse, për dhunimet sistematike që 11-vjeçari në kohën sa ishte gjallë po i përjetonte, e kishte lajmëruar edhe nënën e tij, Makfiren. Kjo e fundit, përveç policisë, për sjelljet e S.O. ishte ankuar edhe tek familja e të dyshuarit. Ajo u kishte thënë se S.O. po ua merrte djalin dhe po e dërgonte në një ndërtesë kolektive në Fushë Kosovë ku edhe po e kryente aktin.

“Djali më dilte nëpër kanta dhe më vinte e qante më tregonte për rastin. Po unë njëherë e lashë. Nuk e lajmërova hiç policinë.  Mandej e lashë, erdhën vetë policia, që u lajmërua djali në polici. Unë kam qenë të familja jem. Kanë ardh policia e Fushë Kosovës. Edhe më thanë ‘Makfire a e din që e kanë dhunua djalin. Thashë po, djali më ka kallxu”, shpjegon Makfirja në ditën e tretë të së pamës për djalin.

Ajo shpjegon edhe se çka kishte raportuar para policisë djali i saj i ndjerë.

“Djali më tha më ka kap me zor S.O. edhe më ka rreh. E ka çu tek një shpi dykatëshe nalt, ka banesat, është e gjatë, nuk ka as xhama e as dyer. Dy herë ma ka kap djalin në atë shpi. Djali i ajët më ka ardhë. U tutke djali, kish djegie mbrapa. Ai i ka dhanë me pi djalit, edhe e ka trullavë’, ka shpjeguar gjatë ditës së hënë, Makfirja.

Ajo thotë se djalin po ia drogonte ky person, të cilin po e akuzon për vrasjen e tij.

“Kur shkova në polici, e mora djalin me veti. Ai u tutke. I kallxojke policisë. U thoshte, ‘axhë, më ka dhanë me pi, mi ka marrë parat, më ka zhveshë edhe e ka ba atahen”, rrëfen tutje zonja Makfire.

Ajo tregon se për këto shqetësime, ishte ankuar edhe tek familja e të dyshuarit.

“Ai u enke vinte te oborri. Ia nisi prapë me e ngucë djalin. Unë i kom kallxu nanës së tij. I kom thanë që po ma ngucë djalin. Nëse do gru, martojeni, e jo djalit tem me ia ba atë punë”.

Por të gjitha shqetësimet e zonjës Makfire si dhe përpjekjet e saj për t’i ndalë në ndihmë djalit të saj të madh K.Veselit siç duket dështuan.

11-vjeçari u gjet i vdekur të enjten e 11 korrikut, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen ‘Xhemail Mustafa’ të Fushës Kosovës.

Autopsia zbulon dhunimin sistematik ndaj 11-vjeçarit

Raporti i autopsisë i bërë në trupin e 11-vjeçarit ka vërtetuar se viktima është dhunuar seksualisht tri herë nga i njëjti person.

Sipas obduksionit plaga e dhunimit ishte e freskët në trupin e 11-vjeçarit. Kështu kanë bërë me dije burime të medias, brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Plaga e dhunimit ishte e freskët. Viktima sipas analizës ishte dhunuar 3 herë. Ai fillimisht ishte rrahur e pastaj dhunuar. Ka dëmtime të rënda në kokë”, kanë bërë me dije mjekët ligjor të IML’së.

Ndërkohë , nga koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), kanë deklaruar për media se kanë marrë me shqetësim lajmin për vdekjen e fëmijës, por se qëndrim lidhur me gjithë këtë rast ende nuk kanë.

“KOMF është duke mbledhur informacionet lidhur me këtë rast nga institucionet e mandatuara: Policia e Kosovës, Prokuroria, Qendra për Punë Sociale, mjekësia ligjore, për të dalë me një qëndrim lidhur me ngjarjen”, deklarojnë nga ky koalicion.

Megjithatë, ata janë shprehur se e kanë marrë me shqetësim të madh deklaratën e nënës së fëmijës viktimë, e cila në media ka deklaruar se ka qenë e informuar për rastin nga vetë fëmija i saj dhe se prej disa kohës ajo kishte raportuar këtë rast policinë e Kosovës.

“Për këtë arsye, KOMF është duke pritur edhe përgjigjet zyrtare nga institucionet nëse ky rast është raportuar në polici dhe cili ka qenë reagimi institucional për mbrojtjen e jetës së fëmijës dhe ndëshkimin e kryerësve”, thuhet në përgjigjen e këtyre të fundit.

KOMF në vazhdimësi ka bërë thirrje për ndërhyrje emergjente të institucioneve për mbrojtjen e  fëmijëve në situatë rruge dhe të përfshirë në punë të rënda marrë në konsideratë rreziqet që u kanosen.

(Kosova Sot Online)