Veseli flet me senatorin amerikan për marrëveshjen Kosovë-Serbi

  • 15 July 2019 - 21:34
Veseli flet me senatorin amerikan për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot në Senatin Amerikan, senatorin Ron Johnson, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend e rajon, me theks të veçantë për fazën finale të dialogut Kosovë-Sebi.

Senatori Johnson tha se SHBA-të janë gjithmonë përkrah Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.

“Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut sa më parë dhe të arrijnë marrëveshjen e obligueshme. Rasti i Maqedonisë dhe Greqisë është shembull që duhet ndjekur se kur ka vullnet politik mund të arrihet marrëveshje përfundimtare”, tha Senatori Johnson.

Nga ana e tij, kryeparlamentari Veseli falënderoi Senatorin Johnson për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës.

“Republika e Kosovës dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje të obligueshme për njohjen reciproke. Ky është opsioni i vetëm që siguron paqe dhe stabilitet të përhershëm në rajon. Pavarësisht dallimeve të brendshme, në raport me dialogun, Republika e Kosovës është e gatshme për fazën finale të dialogut”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)