Profesori i së drejtës ‘godet’ drejtësinë kosovare

  • 16 July 2019 - 07:23
Profesori i së drejtës ‘godet’ drejtësinë kosovare

“Edhe vetë Departamenti në Gjykatën Themelore që u themeluar tash nga Ministria e Drejtësisë nuk pritet të jetë frytdhënës në fushën e krimit dhe korrupsionit sepse vetë Abelard Tahiri në pozitën e ministrit të drejtësisë ka treguar qartë se është i pa aftë për kryerjen e detyrave dhe është shërbëtor i mirë i klanit të pushtetit qendror, kryesisht të Thaçit”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ekspertët e fushës së të drejtës të cilët në vazhdimësi kanë denoncuar dështimin e skajshëm të funksionimit efektiv, profesional e të pa varur të drejtësisë kosovare, mendojnë se edhe me pse kohëve të fundit janë bërë disa lëvizje në sistemin e drejtësisë, sikur që ndodhi edhe improvizimi i fundit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku kinse u formua dhe promovua Departamenti Special nga gjykatat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk është gjë tjetër vetëm blerje kohe për të vazhduar avazin e njëjtë, mos punën e tyre të deritashme dhe atë që planifikojnë të zvarritin në të ardhmen.

Image

Lidhur me këtë, profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi konsideron se kjo lojë e krijimit të institucioneve të tilla, po luhet vetëm për të arsyetuar dështimin e deritanishëm kinse në mungesë të kapaciteteve dhe të mekanizmave të specializuar të kësaj fushe.

“Tashmë dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë , prokuroritë dhe gjykatat kanë dështuar në shumë drejtime dhe me këtë formë të mbulimit të njerëzve që punojnë në to, pa një përzgjedhje dhe spastrim total nuk mundë të ecet përpara dhe të ndërtohet një sistem juridik i mbështetur në ligj’, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, sistemit të drejtësisë në Koosvë nuk i mungon asgjë tjetër përveç njerëzve profesionistë, që duhet të jenë të pavarur dhe të guximshëm në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa u ndikuar fare nga politika dhe në distancë nga ndikimet e grupeve kriminale të interesit.

“Sepse korniza ligjore e Kosovës mundëson veprimin gjithanshëm për zbatim të së drejtës dhe ndjekje të krimit. Sistemi prokurorial dhe gjyqësor nuk vuan nga ligjet por vuan nga personat që punojnë në të e të cilët nuk janë në lartësinë e detyrave të pritura. Edhe vetë Departamenti në Gjykatën themelore që u themelua tash nga Ministria e Drejtësisë nuk pritet të jetë frytdhënës në fushën e krimit dhe korrupsionit sepse vetë Abelard Tahiri në pozitën e ministrit të drejtësisë ka treguar qartë se është i pa aftë për kryerjen e detyrave dhe është shërbëtor i mirë i klanit të pushtetit qendror, kryesisht të Thaçit.

Prandaj në këtë sistemin prokurorial dhe gjyqësor kemi edhe njerëz që vijnë nga ish sistemi prokurorial dhe gjyqësor i Serbisë, pra kanë qenë në atë kohë prokurorë dhe gjyqtar dhe vazhdojnë të jetë të njëjtit edhe tash”, përfundoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)