Denoncon profesori i së drejtës: Noterët, të deleguar nga politika e të korruptuar

  • 16 July 2019 - 07:31
Denoncon profesori i së drejtës: Noterët, të deleguar nga politika e të korruptuar

“Edhe kjo formë dhe ky nivel në masë të konsideruar është nen presionin korruptiv që në masë të konsideruar influencon në zbehjen edhe ashtu delikate të Sistemit të Drejtësisë në vendin tonë”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Riza Smaka e ka cilësuar skandaloz faktin se si po bëhet kapja e shtetit edhe nga noterët e deleguar në mënyre joligjore nga pushtetarët e inkriminuar dhe nëntoka kriminale.

Image

Madje sipas tij, ata janë edhe të parët dhe të vetmit që kanë qasje në të gjitha databazat e shtetit dhe që mund të nxjerrin çfarëdo informacioni për secilin qytetar të Kosovës.

Kjo sipas profesor Smakës, është e pa drejtë dhe cenim i privatësisë së qytetarëve.

“Kështu sikur është duke u vepruar tani, mendoj se po rrezikohen qytetarët duke u mbushë edhe noteria me të deleguar të mafies, të pushtetarëve të inkriminuar dhe militant partish e gra të politikanëve, pasi që noterët kanë qasje në informacionet personale të të gjithë qytetarëve”, thotë Smaka.

Kjo praktikë e dhënies së autorizimeve të tilla, sipas profesorit Smaka duhet të ndërpritet njëherë e përgjithmonë me bazë ligjore.

“Është evidentuar faktikisht se pushtetarët kurdoherë kanë favorizuar “protezhistë” të tyre për licencim të noterisë. Rrjedhimisht noterët e tillë kanë vepruar dhe veprojnë në favor të sponsorëve të vetë dhe pos spekulimeve të mundshme me të dhëna personale të individëve të targetuar, edhe në zvarritje të pajustifikuara të rasteve juridike të formës së prerë”, deklaroi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu thotë se tek noterët fshihen forma perfide të krimit e korrupsionit që realizohen kinse duke u thirrur në të drejtën e zbatimit të ligjit.

“Edhe kjo formë dhe ky nivel në masë të konsideruar është nen presionin korruptiv që në masë të konsideruar influencon në zbehjen edhe ashtu delikate të Sistemit të Drejtësisë në vendin tonë. Ndryshe pa sistem të Drejtësisë efikas dhe efecient, vendi ynë dot nuk mund të bëhet shtet i së drejtës”, përfundoi profesori, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)