Kjo është rruga më e pjerrët në botë

  • 16 July 2019 - 08:54
Kjo është rruga më e pjerrët në botë

Një rrugë me kthesa të shumta në pjesën veriperëndimore të Uellsit, e cila i sfidon edhe çiklistët dhe sportistët më të përgatitur, është konfirmuar si rruga më e pjerrët në botë.

Rruga me emrin “Ffordd Pen Lech” në qytetin historik, Harlech, i cili njihet më mirë për kështjellën e tij, është vlerësuar si rrugë më e pjerrët se rruga “Baldwin Street” në Dunedin të Zelandës së Re, e cila më parë cilësohej si rruga më e pjerrët në botë.

Qytetarët që banojnë në këtë rrugë kanë bërë fushatë për një kohë të gjatë që ajo të futet në librin e rekordeve “Guinness” dhe kanë planifikuar të organizojnë festë të madhe për futjen e rrugës në këtë libër.

Në vlerësimin zyrtar thuhet se rruga ka pjerrtësi prej 37.5 për qind në pikën më të pjerrët, ndërsa rruga tjetër në Zelandën e Re ka pjerrtësi prej 35 për qind.

Futja e rrugës në librin e rekordeve ishte shumë më e vështirë sesa prisnin banorët, sepse për një gjë të tillë kërkohej përmbushja e dhjetë kritereve, përfshirë posedimin e planit të rrugës dhe përdorimin e vazhdueshëm të saj nga publiku, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)