Presidentja kroate pranon se policia po i dëbon imigrantët me forcë në Bosnje

  • 16 July 2019 - 08:59
Presidentja kroate pranon se policia po i dëbon imigrantët me forcë në Bosnje

Pas disa muajve të mohimeve zyrtare, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, ka pranuar se policia e shtetit të saj është e përfshirë në dëbimet e dhunshme të imigrantëve dhe azilkërkuesve që kanë arritur të futen në territorin kroat.

Mundësia më e mirë e imigrantëve të bllokuar në Bosnje e Hercegovinë është që ta kalojnë kufirin me Kroacinë për të hyrë në zonën e Bashkimit Evropian. Gjatë vitit të kaluar, ka pasur dëshmi të përsëritura që policia e Kroacisë po e përdor forcën kundër atyre që kanë arritur ta kalojnë kufirin, duke i detyruar ata që të kthehen përsëri në Bosnje.

Gjatë një interviste për një televizion zviceran, presidentja kroate në një mënyrë pranoi se dëbimet janë duke ndodhur. Ajo gjithashtu pranoi se policia e ka përdorur forcën, por mohoi që këto aksione ishin ilegale.

“Kam folur me ministrin e brendshëm, komandantin e policisë dhe zyrtarët në terren dhe më kanë siguruar se nuk kanë përdorur forcë të tepërt. Sigurisht, pak përdorim i forcës është i nevojshëm kur bëhen dëbime”, tha ajo.

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Human Rights Watch”, i ka bërë thirrje qeverisë kroate që t’i ndërpresë këto aksione, sepse dëbimi i njerëzve përtej kufirit është vepër ilegale sipas ligjeve ndërkombëtare, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online )