Sindikata ultimatum Telekomit: Shpalleni fundin e kontratës me Devollët, ose hymë në grevë

  • 16 July 2019 - 12:11
Sindikata ultimatum Telekomit: Shpalleni fundin e kontratës me Devollët, ose hymë në grevë

Telekomi ka bërë të ditur se nuk do t’i vazhdojë Z- Mobile’it edhe për 10 vite tjera kontratën që i kushtoi miliona humbje çdo vit kompanisë publike. Megjithatë,  një njoftim të tillë nuk e kanë bërë ende publik. Sindikata e PTK-së i ka vënë ultimatum menaxhmentit që të njëjtën ta publikojë, në të kundërtën paralajmërojnë grevë, e se konsumatorëve të VALA-s nuk do t’i ofrojnë asnjë shërbim. Media ka siguruar dokumentet që iu janë përcjellë, ministrit Valdrin Lluka, kryeshefit Bedri Istrefit, e drejtoreshës së bordit.

Pas raportimit rreth kërcënimit të fundit që kompania e Blerim Devollit i ka bërë kompanisë publike, Telekom duke e dërguar te përmbaruesi, Sindikata e PTK ka bërë të ditur se do të vazhdojnë me grevë.

Ky paralajmërim i tyre ka ardhur edhe pasi që nga PTK nuk e kanë bërë ende publik njoftimin se nuk do të vazhdojnë kontratën me Dardafonin e Blerim Devollit.

Në një dokument të cilin e ka siguruar media, e që iu është dërguar Kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefit, e shefes së bordit, Besa Shatrit për ta vënë në dijeni edhe Ministrin  e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukën, kanë bërë të ditur se në grevë do të shkohet nga fundi i këtij muaji. 

Krejt kjo sipas FSP-PTK duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në kompaninë tonë lidhur me kontratën e Z-Mobile që skadon me 30 korrik.

“FSP-PTK tashmë zotëron analiza të mjaftueshme profesionale, të cilat njëzëri dokumentojnë dëmet afër 200 milionë euro që Telekomi i Kosovës ka përsuar nga kontrata 10-vjecare me Z-Mobile: analizën e kompanisë Mazars, Raportin e Auditorit të përgjithshëm për Telekomin e Kosovës si dhe raportin e ekspertëve të VALA të angazhuar nga sindikata”, shkruhet në këtë letër.

Tutje, theksohet se kërkesat e sindikatës nuk janë plotësuar e se menaxhmenti nuk ka dalë me një qëndrim zyrtarë për çfarëdo kontrate të re me Z-Mobile.

Menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve në Telekom iu është vënë ultimatum nga sindikata që nëse nuk bëhet publike njoftimi për përfundim të marrëveshjes me Devollët, do të aktivizojnë këshillin grevistë.

Në fund është bërë e ditur nëse njoftimi më së largu nuk lëshohet deri më datën 30 korrik, konsumatorëve të VALA-s nuk do t’i ofrohet më asnjë shërbim.

Kujtojmë që dje kompania e udhëhequr nga Blerim Devolli ka dërguar te përmbaruesi Telekomin, duke kërkuar larje të borxhit prej 25 milionë euro, pasi që të njejtët dështuan të arrinin një marrëveshje që po bëhej me ndërmjetësimin e Qeverisë së Kosovës.

(Kosova Sot Online)